Ultimatumi për Jabllanoviqin, joserioz dhe i pamenduar

Ultimatumi, dhënë kryeministrit Isa Mustafa në protestën e së shtunës për shkarkimin e  ministrit për Kthim dhe Komunitete Aleksandar Jabllanoviqit, nuk po shihet si serioz dhe i menduar mirë, nga analistët politikë.

Lajme

25/01/2015 19:22

Ata vlerësojnë se opozita në Kosovë, po e shfrytëzon si pretekst ministrin Jabllanoviq për rrëzimin e qeverisë Mustafa.

Drejtori i lëvizjes “FOL”, Petrit Zogaj, ka thënë për KTV se ultimatumi nuk ishte skenar i përgatitur para protestës. Zogaj vlerëson se pavarësisht ultimatumit dhe presionit për shkarkimin e Jabllanoviqit, Isa Mustafa, nuk do të bëjë një gjë të tillë.

Kurse analisti, Arben Ahemti, ka pohuar se deklaratat e ministrit Jabllanoviq, janë vetëm një pretekst për të protestuar dhe se kjo nuk është arsye e vetme e protestës. Ai ka pohuar se opozita në Kosovë, është në pozitë të pafavorshme dhe se nuk di se çfarë të bëjë as me protesta.

Ndërkaq, në protestën që mblodhi mijëra qytetarë në Prishtinë, Albin Kurti dhe organizatorët e tjerë i ka dhënë ultimatum Isa Mustafës 48 orë për shkarkimin e ministrit serb, Aleksandar Jabllanoviq, i cili i quajti egërsira nënat gjakovare.

Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, protestat do të vazhdojnë të martën, raporton KTV.