TV5 Monde: Korça “Parisi i vogël”

E quajnë Parisi i vogël i Shqipërisë? Televizioni francez Francë 5 ka këtë javë, për emisionin e vet destinacionet e frankofonisë, Korçën, qytetin që e quan djepi i frankofonisë në Shqipëri!

Lajme

18/02/2016 09:23

Emisioni i transmetuar këtë të shtunë paraqet një reportazh të përmbledhur për jetën tipike të qytetit juglindor, si edhe për nxënësit korçarë që vazhdojnë traditën e mësimit të frëngjishtes, traditë e nisur që nga ngritja e liceut francez të Korçës.

Gjatë luftës së parë botërore, Armata e Lindjes e Francës kaloi nëpër Shqipëri dhe themeloi « Republikën franceze të Korçës », si dhe ngritjen e një liceu francez. Në periudhën 1920-1940, legjislacioni shqiptar ekzistonte në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht, me qëllim afrimin e legjislacionit të dy vendeve.

Gjatë kësaj periudhe studentë të shumtë ktheheshin në atdhe pas mbarimit të studimeve në Francë dhe nga liceu i Korçës do të dilte një pjesë e konsiderueshme e elitës shqiptare. Edhe pas prishjes me kampin socialist, destinacioni kryesor për studentët shqiptarë ka qenë Franca, e cila në vitet 1960-90 favorizoi këtë hapje duke akorduar mjaft bursa studimi.

Në sistemin tonë shkollor frëngjishtja ka qenë një nga gjuhët kryesore dhe vazhdon edhe sot të konsiderohet si gjuhë e dytë, pas anglishtes.

Këto fakte historike kanë bërë që një numër i madh nga peizazhi mediatik francez të kenë në fokus Shqipërinë.