Tsipras: Maqedonia akte të turpshme dhune ndaj emigrantëve

Dhuna e përdorur nga forcat policore maqedonase kundrejt emigrantëve është dënuar ashpër nga Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, i cili theksoi se kundërpërgjigja me gazi lotsjellës dhe plumba gome kundrejt qindra azil-kërkuesve që kërkojnë të kalojnë kufirin është diçka me të vërtetë e turpshme.

Lajme

11/04/2016 17:19

 

Ai theksoi se aktet e tilla të dhunës nuk bëjnë pjesë në vlerat e një shteti evropian dhe aq më tepër për një vend që aspiron të anëtarësohet në BE. Sipas tij, emigrantët nuk duhet të ndëshkoheshin në atë mënyrë pasi nuk paraqisnin asnjë rrezik dhe se nuk ishin të armatosur.

Kreu i ekzekutivit nuk ishte i vetmi i cili shprehu rezerva negative kundrejt veprimeve të autoriteteve maqedonase. Aktet e dhunës janë dënuar edhe nga zyrtarë të tjerë helenë përfshirë ministrin i Jashtëm, Nikos Kotzias.

Ai tha se diplomacia greke do të protestojë në mënyrë formale kundrejt homologëve maqedonas për aktet e dhunës. Ndërkohë, një tjetër deklaratë e fortë erdhi edhe nga Giorgos Kyritsis, zëdhënës për koordinatorët e migrimit në qeverinë grek, i cili u shpreh se përdorimi i forcës është diçka e papranueshme.

Por e menjëhershme ka qenë edhe kundërpërgjigja e zyrtarëve të Maqedonisë. Këta të fundit kritikuan angazhimin e vakët të forcave policore greke për kontributin thuajse inekzistent në kuadër të parandalimit të përshkallëzimit të protestës së azil-kërkuesve.

Ata shtojnë se autoritetet helene duhet të kishin bërë më shumë për t’i ndalur emigrantët në përpjekjet e tyre për të kaluar ilegalisht kufirin. Refugjatët pësuan dëmtime nga më të ndryshmet pas dhunës së ushtruar nga autoritetet maqedonase.

Agjencia e ndihmës Mjekët pa Kufij deklaroi se ka mjekuar më shumë se 200 perona në kampin e Idomenit si pasojë e gazit lotsjellës dhe plagëve e tjera të mara gjatë protestës.