Trump mbështet kandidatin për senator që akuzohet për sjellje të keqe seksuale

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka incizuar një audio-mesazh për kandidatin republikan për senator, Roy Moore, i akuzuar për sjellje të keqe seksuale.

Bota

12/12/2017 07:38

Presidenti shprehu mbështetje të plotë për ish-gjykatësin e Alabamas, i cili konkurron me demokratin Doug Jones, për ulësen në Senat.

Zgjedhjet e së martës mund të ndryshojnë balancën e pushtetit në Senat, përpara zgjedhjeve afatmesme të Kongresit, vitin e ardhshëm.

Moore i mohon pretendimet e disa grave se ai ka bërë veprime të padëshirueshme seksuale.

Një grua pretendon se ai e ka ngacmuar atë kur ajo ka qenë 14 vjeçe; një tjetër thotë se Moore ka bërë përpjekje ta përdhunojë.

Në një tubim të hënën në mbrëmje, Moore përsëriti mohimet e tij, duke pyetur përse këto gra kanë qenë të qeta për 40 vjet, derisa ai ka drejtuar zyra të ndryshme politike.

Fushata e Moore e shpërndau audio-mesazhin e Trumpit, i cili u tha votuesve se agjenda e tij “do të lëkundet” nëse Moore i humb zgjedhjet.

Fituesi i së martës do të marrë vendin e mbajtur më parë në Senat nga prokurori i përgjithshëm i administratës Trump, Jeff Sessions.