Trepça është një

Drejtori i përgjithshëm i Trepçës, Ahmet Tmava thotë se Trepça është një, dhe se nuk ka Trepçë veriore dhe as jugore. Ndërkaq, Safet Gërxhaliu thotë se Trepça nuk duhet të jetë peng i borxheve.

Lajme

11/04/2014 14:20

Drejtori i Trepçës Ahmet Tmava thotë se kompania e Trepçës nuk është e ndarë në veriore dhe jugore. Ai konsideron se Trepça është një, pavarësisht se ku ndodhet ajo, në cilën pjesë të territorit të Kosovës.

“Trepça është një, e vetme dhe e pandashme. Nuk ka Trepçë veriore dhe jugore. Kemi bashkëpunim të mirë me të gjitha pjesët e saj, pavarësisht ku ndodhen ato”.

“Minierat e Trepçës që gjenden në Leposaviq lejen e punës e kanë marrë në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), dhe të gjitha obligimet i kryejnë me rregull, të cilat kontrollohen nga inspektorët e KPMM-së”.

Këto komente Tmava i bëri gjatë një takimi që pati me kryetarin e Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu. Tmava mendon se pas marrjes së vendimit nga Kuvendi i Kosovës që Trepça të kthehet në ndërmarrje publike, do të bëjnë të pamundurën që kësaj kompanie t’i shtohen investimet.

“Nuk do të shkojmë me investime publiko-private, por do të shqyrtojmë mundësitë e kreditimit apo të huamarrjes, që t’i ngrisim kapacitetet e Trepçës. Janë shumë kompani ndërkombëtare të cilat janë të interesuara për Trepçën dhe është fat i mirë që kompanitë gjermane kanë bërë shumë kërkesa për oksid zingu”.

Ndërkaq, kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu tha se Kosovës i duhet Trepça por se kjo kompani nuk duhet të jetë peng i borxheve.

“Trepçës i duhet Kosova, por edhe Kosovës i duhet Trepça, dhe ajo nuk mund të jetë peng e borxheve inekzistente”, tha Gërxhaliu, raporton Kosovapress.