Trafik municionesh nga Greqia në Shqipëri, pranga 43-vjeçarit

Një 43-vjeçar është arrestuar në flagrancë duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe duke trafikuar municione luftarake nga shteti Grek drejt Shqipërisë.

Lajme

23/06/2016 08:36

Bëhet e ditur se specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë kanë vënë në pranga shtetasin Gramoz Diko, 43 vjeç, banues në Yzberisht, Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Patrullës së Stacionit të Policisë Kufitare -Shtikë, mbi fshatin Skorovodë të  rrethit Kolonjë, duke transportuar një sasi prej 505 copë fishekë model 54, dhe një krehër pistolete bosh model 54, të cilat iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale, gjatë kontrollit të ushtruar në çantën personale të tij.

Sipas burimeve policore, 43-vjeçari këto municione dyshohet se i ka trafikuar nga shteti grek dhe i ka kaluar drejt Shqipërisë, në mënyrë të paligjshme duke përdorur kufirin e gjelbër.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.