Tiranë: Vajza u vë flakën 4 veturave të familjes së ish-të dashurit (Video)

Një kamera sigurie e një biznesi në Rrugën e Kokonozëve, në Tiranë, ka filmuar momentin kur Desara Mançellari u ka vënë flakën katër automjeteve të familjes së ish-të dashurit të saj.

Lajme

03/04/2016 16:58

Në videon e publikuar nga “TVKlan”, shfaqet 23-vjeçarja e cila niset drejt makinës së nënës së ish-të dashurit të saj, me një çantë shpine ku kishte futur shishen e benzinës.

Vajza është e veshur me një xhup me kapuç. Ajo qëndron e fshehur pas një makine tip “Mercedes” për të kontrolluar zonën. Dhe në pak sekonda 23-vjecarja i afrohet me hap të shpejtë autoveturës tip “Audi” të familjes Papajani. Pasi hedh benzinën, makina shpërthen në flakë.

Desara Mançellari u arrestua dje pasi u vuri flakën 4 automjeteve që familjes Papajani. Fillimisht lindën dyshimet se vajza e bëri në shenjë hakmarrjeje pasi e la i dashuri. Por një familjar i vajzës, i cili nuk preferon të identifikohet, tha se Desara është kërcënuar vazhdimisht nga djali dhe familjarët e tij.

Personi në fjalë tregon se ka qenë Desara që i ka dhënë fund lidhjes në kohën kur i riu ishte duke kryer shërbimin ushtarak në Greqi për shkak të dyshtetësisë. Por me kthimin e tij, sipas të afërmit, nisën edhe konfliktet që e shtynë vajzën që të kryente veprimin për të cilin është arrestuar.