Thyhet heshtja në Shqipëri, nesër protestë kundër dhunës ndaj grave

Dhuna që ushtroi ish burri pak ditë më parë në Vlorë, ku në mes të rrugës grushtoi e shqelmoi, nënën, para syve të fëmijëve dhe kalimtarëve të tjerë, është bërë shkak që në Tiranë nesër të protestohet.

Lajme

09/06/2016 21:30

Në një grup të krijuar në rrjete sociale ku njofton dhe ftohen njerëzit të ngrenë zërin kundër dhunës, thuhet se nesër do thyhet heshtja ndaj dhunës.

“Dhuna në mes të sheshit, në mes të njerëzve, dhuna e pafrikë ndaj një gruaje, një nëne, një vajze është një kambanë alarmi, është një tregues i kalbjes e humnerës morale ku na ka çuar ky sistem politik”, thuhet tek përshkrimi i protestës.

Te Piramida në Tiranë nesër protestohet si pasojë e heshtjes së shoqërisë dhe heshtjes së institucioneve, ku dhuna është kthyer në banalitet e çdo viktimë e banalizojmë duke e detyruar të tkurret, të fshihet, të hesht, të poshtërohet.

“Nuk mund të heshtim më, nuk mund t’a kalojmë me një ditë indinjatë një fenomen të gjithëpranishëm në shoqërinë tonë në atë pikë sa nuk na bënë më përshtypje. Nuk mund t’a kalojmë me një kronikë lajmesh apo një status. Ju lutem të gjithëve të mblidhemi aty për njeri-tjetrin, për motrën, nënën apo bijën tuaj dhe TË NGREJMË ZËRIN!!”, bëhet ftesë për pjesëmarrje në këtë ngjarje./ Lajmi.net