Thaçi thotë se kauzat politike shkurtpamëse, rrezikojnë perspektivën evropiane të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shfrytëzuar rrjetin social facebook të komentojë për ratifikimin e demarkacionit, liberalizimin e vizave dhe Projekt Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian.

Lajme

29/01/2018 14:15

Presidenti i vendit ka shkruar se lëvizja pa viza do të ishte lajmi më i mirë për Kosovën në 10 vjetorin e pavarësisë.

“Pak ditë kanë mbetur deri te publikimi i Strategjisë së Zgjerimit të Komisionit Evropian për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një mundësi historike që edhe Kosova të përfshihet denjësisht në këtë strategji dhe qytetarët e Kosovës të kenë qartësi për hapat e radhës drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Thaçi.

“Kjo qartësi, së bashku me lëvizjen e lirë dhe pa viza, do të ishin lajmi më i mirë për çdo qytetar të Kosovës në dhjetëvjetorin e pavarësisë së shtetit tonë. Bashkimi Evropian, i cili ka në dorë këtë strategji dhe vendimet e tjera të rëndësishme për vendin tonë, nuk preokupohet se çfarë dëshiron qytetari, por është i interesuar të shoh sa i kanë përmbushur kërkesat e tyre institucionet e vendit tone”, thotë presidenti i Kosovës.

Në këtë postim, Thaçi ka shtruar dy pyetje që ndërlidhen me të ardhmen e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe liberalizimin e vizave.

Në mënyrë indirekte ai i quan “kauza politike shkurtpamëse”, qëndrimet për mos-ratifikimin e demarkacionit.

“Prandaj, këtu nuk ka të panjohura. Pyetja urgjente që kemi para vetes është: a do të bëjmë çka është e nevojshme për të hequr dyshimet se dëshirojmë një të ardhme në BE? A dëshirojmë t’i japim rinisë sonë një shans që të përpiqen për një të ardhme meritore në familjen evropiane? Apo dëshirojmë që t’i ngatërrojmë përgjithmonë në kauza politike shkurtpamëse”, shkruan tutje presidenti.

Sipas Thaçit, tani nuk është moment për fajësime dhe shfajësime, por për veprime në interest ë shtetit.

“Tani nuk është koha për fajësime apo shfajësime, por për veprime në interes të shtetit dhe qytetarëve. Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm sa e nevojshme është që në këto momente të tregojmë lidership të duhur”, shkruan i pari i shtetit.

Krejt në fund ai ka edhe një apel.

Thaçi kërkon që të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi, dhe sipas tij të vuloset perspektiva evropiane e Kosovës dhe liberalizimi i vizave.

“E një vendim i tillë është edhe ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, vend që ndërmori vendime të vështira në raport me Kosovën, për të cilat u jemi mirënjohës. Duhet ta bëjmë atë që është në të mirë të qytetarëve, një perspektivë evropiane e qartë dhe një lëvizje e lirë e qytetarëve tanë në Evropë”, përfundon postimi në facebook i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. /Lajmi.net/