Thaçi: Perspektiva e vetme e Kosovës, e ardhmja euroaltantike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot në Vjenë homologun e tij austriak, Heinz Fischer.

Lajme

15/06/2016 17:15

Presidenti Thaçi e ka falënderuar presidentin Fischer për kontributin dhe interesimin e tij 12 vjeçar për Kosovën dhe Ballkanin në përgjithësi, si dhe për rolin Austrisë në të gjitha fazat e krijimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Po ashtu Thaçi e ka njoftuar homologun e tij austriak edhe për proceset politike në Kosovë, për tejkalimin e krizës së brendshme dhe për marrëveshjen për EULEX-in, shkruan lajmi.net.

“Kosova ka vetëm një perspektivë dhe ajo është e ardhmja euroatlantike. Ne do të punojmë vazhdimisht për t’u bërë sa më shpejtë anëtarë të BE-së dhe NATO-s. Ju jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që na keni dhënë në procesin e integrimit, për liberalizimin e vizave, si dhe shpresojmë që Komisioni Evropian shumë shpejt do ta marrë vendimin që Kosovës t’i hiqen vizat”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërkaq, presidenti Fischer është shprehur i kënaqur me zhvillimet e fundit, veçanërisht pasi që nga vizita e tij e fundit në Kosovë, situata politike në vend ka ndryshuar dhe është më e qetë, si dhe ka uruar presidentin Thaçi për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si hyrje të shtetit kosovar në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Presidenti i Thaçi e ka siguruar homologun e tij austriak se do të vazhdojë dialogu me Serbinë, se shumë shpejt do të fillojë të hartohet edhe statusi për Asociacionin e komunave më shumicë serbe dhe se do të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Photo1 Photo2 Photo3 Photo4