Thaçi në Slloveni, në samitin e Bërdos

Me ftesë të homologut të tij slloven, zëvendëskryeministri njëherësh ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, sot do të marrë pjesë në samitin e Bërdos në Slloveni, ku do të takohen ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, së bashku me ministrin e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Austrisë dhe atë të Italisë.

Lajme

23/04/2015 09:03

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, në samitin vjetor të Bërdos do të diskutohet për perspektivën evropiane të shteteve të rajonit, në mënyrë që të rrisin reformat e nevojshme politike, socio-ekonomike e institucionale për integrim sa më të shpejt në BE.

Shqetësimet e përbashkëta lidhur me stabilitetin e sigurinë e Evropës dhe perspektivat mjedisore do të jenë gjithashtu objekt i diskutimeve të ministrave të jashtëm.

Pjesë e diskutimeve sikurse edhe në samitet e tjera, do të jetë edhe lufta e përbashkët kundër terrorizmit dhe radikalizmit fetar, rrjeti infrastrukturor i rajonit dhe rinia e Ballkanit Perëndimor.

Në samitin njëditor të Bërdos në Slloveni do të jetë edhe Komisioneri për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit i BE’së, Johannes Hahn.