Thaçi në “listën e zezë” amerikane

Nuk ka shtetas të ri të Maqedonisë në "listën e zezë" të Shteteve të Bashkuara. Por njëkohësisht në listë mbeten njëmbëdhjetë emrat e njëjtë edhe gjatë përditësimit të fundit.

Lajme

22/06/2016 22:50

 

Kështu, për departamentin e kontrollit të pronave të huaja në Ministrinë e financave në SHBA ende janë kontestues: Xhevat Ademi, Ljube Boshkovski, Nuri Bexheti, Nevzat Halili, Xhavit Hasani, Kastriot Haxhirexha, Xhemail Huseini, Daut Rexhepi, Xhezair Shaqiri, Menduh Thaçi dhe Gafur Adili.

Lista, sipas njoftimit të Departamentit të Shtetit është përditësuar dje. Kjo nuk vlen vetëm për Maqedoninë, por për të gjitha vendet e Ballkanit.

Në një njoftim për shtyp të nënshkruar nga Presidenti i SHBA-ve thuhet se personat në listë paraqesin kërcënim për sigurinë dhe politikën ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara.

“Veprimi i individëve është një kërcënim për paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë aktet e dhunës ekstreme dhe veprimtarinë penguese. Ata vazhdojnë të paraqesin kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm n daj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme amerikane”, ka thënë Presidenti i SHBA-ve Barak Obama.

Sanksionet për personat që janë në “listën e zezë” nënkuptojnë ndalim të hyrjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ngrirje të pasurisë të atyre individëve ose organizatave në bankat amerikane.

Qytetarët dhe kompanitë nga SHBA-ja e kanë të ndaluar të kenë kontakte biznesi me persona apo organizata nga “lista e zezë”.