Thaçi falënderon gazetarët, i kërkon falje gazetarit Fitim Gashi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se faza e fundit e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces i ndejshëm dhe historik për Kosovën.
Lajme
Ai ka thënë se për të gjithë gazetarët, mediumet dhe përmes tyre qytetarët e Kosovës, ky do të jetë një proces i hapur.
Sipas tij për të rritur transparencën dhe mënjanuar keqkuptimet dhe keqinterpretimet, këtë muaj kam mbajtur konferenca të shpeshta për media, për të dhënë sqarimet e nevojshme.
“Dua t’i falënderoj të gjitha mediat dhe gazetarët në Kosovë, që në javën e fundit janë duke përcjellë me profesionalizim procesin e dialogut. Në këtë bashkëbisedim me gazetarët, gjithmonë mundohem të jem i hapur dhe natyrisht përgjigjem në çdo pyetje dhe dilemë të tyre – që janë të lidhura me dilemat e qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar ai.
Thaçi më tej ka shkruar se në konferencën e djeshme u krijua një keqkuptim gjatë bashkëbisedimit që kisha me gazetarin e “Kohes Ditore”, Fitim Gashi.
“Unë i kërkoj falje Fitimit dhe të gjithë atyre që kanë mundur të ndihen të fyer gjatë kësaj konference për shtyp, por ky nuk ka qenë dhe asnjëherë nuk do të jetë qëllimi imi. Në rrugëtimin tim prej dy dekadave në politikë gjithmonë kam ruajtur respektin për punën e gazetarëve, si një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë”, ka shkruar Thaçi.
Ai ka inkurajuar të gjithë gazetarët që mos të ndalen të zhurmojnë, të pyesin, të ngritin dilema për të gjitha temat që janë të interesit nacional.