Tetë talibanë të vrarë në Pakistan

Më së paku tetë talibanë janë vrarë të martën nga sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në veriperëndim të Pakistanit.

Bota

07/10/2014 20:18

Zyrtarë të sigurisë thanë se sulmet janë bërë në zonat Shawal dhe Datta Khel, në veri të Vaziristanit, afër kufirit afgan.

Rreth 10 militantë të tjerë po ashtu kanë vdekur nga sulmet e ngjashme, në zona të njëjta më 5 dhe 6 tetor.

Ushtria pakistaneze ka filluar një ofensivë në muajin qershor, me qëllim të pastrimit të pjesës veriore në Vaziristan nga talibanët pakistanezë dhe të grupeve tjera terroriste, duke përdorur sulme ajrore, artileri, granata dhe këmbësori, raporton REL.

Thuhet se janë vrarë më shumë se 1,000 militantë, si dhe kanë vdekur rreth 100 ushtarë gjatë këtij operacioni, por numri i saktë i tyre ende nuk është verifikuar.

Sidoqoftë, në Islamabad, kryeqytetin e Pakistanit, disa herë është protestuar kundër sulmeve të Shteteve të Bashkuara, që sipas tyre po shkelin sovranitetin e Pakistanit.