Teologu Xhabir Hamiti kundër therjes së kurbanëve në Hungari

Profesori i studimeve islame, Xhabir Hamiti, ka reaguar ndaj paralajmërimit për therjen e kurbanëve në Hungari edhe sivjet.

Lajme

12/08/2018 23:46

Këtë veprim, Hamiti e ka quajtur të paprecedent.

Në një postim, ai ka thënë se nuk po mund t’i bjerë në fije “kësaj meseleje”. As vitin e kaluar thotë se nuk ka mundur t’i bjerë në fije.

Ndonëse ka theksuar se nuk dyshon që Hungaria mund të ketë thertore më të madhe dhe më të organizuar se ato në Kosovë, ky, sipas tij, nuk është kurrfarë justifikimi para qytetarëve dhe besimtarëve të Kosovës.

Xhabir Hamiti kërkon arsyen e këtij vendimi nga i cili përfitojnë shtetas të një vendi tjetër në dëm të blegtorëve të Kosovës.

“Se si erdhi kjo ide, dhe prej nga lindi ky zbulim i pa zbuluar më herët mbetet e pa kuptuar deri më sot”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ky është postimi i tij i plotë:

“Therja e kurbaneve në Hungari edhe këtë vit veprim i pa precedan!

Është ky viti i dytë i cili si vend po na karakterizon me therjen e kurbaneve jashtë vendit. Unë nuk jam duke i rënë në fije kësaj meseleje, e as vitin e kaluar nuk e kam kuptuar këtë marifet të ri.

Nuk dyshoj se Hungaria mund të ketë thertoren më të madhe dhe më të organizuar sesa thertoret në vendin tonë, mirëpo megjithatë ky nuk është asnjë lloji justifikimi para qytetarëve dhe besimtarëve të Kosovës të cilët duan të dinë qartësisht arsyen, se pse parat e kurbaneve të tyre po shkojnë jashtë vendit dhe nga të cilët po përfitojnë shtetas të një vendi tjetër duke i anashkaluar blegtorët vendor.

Kultivuesit e blegtorisë në Kosovë, aq sa janë, vazhdojnë të ndihen të tradhtuar me këtë veprim, i cili po ua pamundëson përfitimin nga kultivimi i kafshëve të imta dhe të trasha, të cilat gjatë gjithë vitit i përgatisin me mund dhe përkushtim të lartë për t`ia dedikuar festës së Kurban Bajramit.

Deri më tani, nuk kam dëgjuar nga asnjë vend për rreth neve i cili kurbanet i therin jashtë vendit të tyre. Një veprim i tillë ndoshta edhe do të mund të ndodhte, në rast se ka tepricë të kërkesave për Kurban si dhe pamundësi të ruajtjes së mishit në rezervat e vendit, por edhe kjo nuk qëndron në rastin tonë.

Se si erdhi kjo ide, dhe prej nga lindi ky zbulim i pa zbuluar më herët mbetet e pa kuptuar deri më sot.”