Tentoi të mbronte të birin nga qeni, babai plagos kalimtarin

Në plagosje me armë zjarri ka ndodhur sot rreth orës 13:50 në zonën e "Brrylit", përballë maternitetit të ri. Pas sinjalizimit, menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan forcat e Policisë, ku u konstatua se shtetasi me inicialet  V. V., 19 vjeç, banues në Tiranë,  ishte plagosur në këmbë.

Lajme

24/04/2016 15:56

 

19-vjeçar me inicialet V. V., mbeti i plagosur në këmbë pasi një baba, qëlloi me armë në përpjekje për të mbrojtur të birin nga një qen.

Babai kishte dalë me fëmijën e tij, kur papritur, fëmijës iu vërsul një qen i racës Pitbull dhe e kafshoi. I zënë në panik, babai nxori një armë zjarri dhe qëlloi disa herë nga qeni duke e vrarë atë.

Mirëpo, një plumb rikoshet kapi edhe V.V. që ishte kalimtar i rastit. Burimet thonë se pronari i qenit nuk ishte prezent në momentin kur ndodhi ngjarja.

I riu u dërgua në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës nga ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave.