Të shtunën protestë për mos zbatimin e Ligjit Për të Verbërit

Iniciativa e të Verbërve të Pavarur nesër do të organizojë një protestë, për mos zbatimin e Ligjit për të Verbëritë.

Lajme

23/03/2018 13:24

Kjo protestë sipas kësaj iniciative do të mbahet pas mos plotësimit të kërkesave të tyre për zbatimin e këtij ligji.

“Me 1 Mars kemi bërë një protestë për të kërkuar zbatimin e Ligjit Për të Verbër, veçanërisht atij për punësim, e cila ka qenë edhe motoja jonë. Meqenë se deri tani nuk kemi marrë ndonjë përgjigjje, ne do të organizojmë edhe një protestë tjetër me 24 Mars në 12:00. ndërsa, nisjen do ta bëjmë nga ora 11:00 deri 11:30nga Biblioteka Kombëtare”, thuhet në njoftimin e kësaj iniciative.

Ata po ashtu i kanë dërguar një letër institucioneve në të cilën shprehin gjendjen e tyre

Kjo është letra e plotë e tyre:

LIGJI PËR PUNËSIMIN E TË VERBËRVE (PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUAR) – OBLIGIM INSTITUCIONAL APO PLOTËSIM FORMAL I LEGJISLACIONIT

1. Situata aktuale – alarmante

Kanë kaluar nëntëmbëdhjetë vjet nga mbarimi i Luftës dhe dhjetë vjet nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe ende të verbërit në Republikën e Kosovës ballafaqohen me një papunësi gati absolute. Për më tepër, po bëhet një dekadë prej kur është miratuar legjislacioni për të drejtat dhe punësimin e këtyre personave dhe numri i tyre në tregun e hapur të punës është fare simbolik dhe kryesisht këtu bëjnë pjesë të punësuarit që kanë mbetur nga ish-sistemi. Kështu, të verbërit, si pjesa më e margjinalizuar e shoqërisë, gjithnjë e më shumë po i humbin shpresat se po integrohen në shoqëri, an ipse prej tyre ka shumë të rinj e të reja që kanë kryer studime dhe ka të tjerë që janë në përfundim e sipër.

Duke ndjerë pra peshën e rëndë të papunësisë, Iniciativa Qytetare e Personave të Verbër, e përbërë nga të verbërit dhe me të parë të dobësuar, të cilët kanë mbaruar studimet universitare apo që janë në përfundim të tyre, në pamundësi tjetër dhe pas një pritje të gjatë, ka organizuar dhe do të organizojë protesta, në mënyrë që të mos e pranojë në heshtje diskriminimin që po i ndodh.

Nuk e deshtëm ne verbësinë, por ajo s’na pyeti.

Pas një shkollimi të mundimshëm e të kushtueshëm, ne prapë po mbyllemi në shtëpi dhe po izolohemi. Pse na shkolloni pra, kur s’na doni në radhët tuaja?!

2. Mundësitë dhe baza ligjore për punësim

• E drejta e punës garantohet dhe secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës (Neni 49 i Kushtetutës së RKS).

• Organet e administratës shtetërore, punëdhënësit e sektorit privat dhe publik, si dhe organizatat joqeveritare obligohen që, me kushtet e përshtatshme të punës, t’i punësojnë Personat me Aftësi të Kufizuara & Çdo punëdhënës është i obliguar të punësojë një Person me Aftësi të Kufizuar në çdo 50 punëtorë (Nga Neni 12 i Ligjit për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara). Tutje: Punëdhënësi i cili nuk i përmbush detyrimet nga paragrafi 1 dhe 2 i nenit 12 të ligjit bazik, obligohet që, për nxitjen e punësimit të Personave me Aftësi të Kufizuara, të paguajë në një xhirollogari të veçantë në vijën buxhetore të Buxhetit të Kosovës, pagesat mujore në lartësi të shumës së pagës minimale të realizuar në Republikën e Kosovës, për çdo Person me Aftësi të Kufizuar që duhet të kishte punësuar.

• Punësimi në kushte të favorshme dhe me përparësi, sipas ligjeve në fuqi dhe kritereve të veçanta të përcaktuara në ligje të posaçme & Personat juridikë dhe fizikë që punësojnë persona të verbër përfitojnë të gjitha benificionet të përcaktuara sipas ligjeve në fuqi(Neni 5 i Ligjit për Personat e Verbër).

• Diskriminimi është i ndaluar në punësim dhe profesion, lidhur me rekrutimin në punësim, trajnimin, promovimin e punësimit, kushtet e punësimit, masat disiplinore, ndërprerjen e kontratës së punës ose çështjeve të tjera nga marrëdhënia e punës, të rregulluara me këtë ligj dhe me ligjet tjera në fuqi & Ndalohet diskriminimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i Personave me Aftësi të Kufizuara, gjatë punësimit, avancimit në punë dhe avancimit profesional, nëse për atë vend pune është i aftë ta kryejë punën në mënyrë adekuate (Nga Neni 5 i Ligjit të Punës).

• Dispozitat e së drejtës së punësimit të Personave me Aftësi të Kufizuara, të cekura më sipër, janë të sanksionuara edhe në Nenin 27 të Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (New Jork, 2007).

• Edhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, përveç aspekteve tjera të trajtimit të barabartë të grupeve të margjinalizuara të shoqërisë, në Nenin 106, inkurajon nxitjen e dialogut social, si dhe përafrimin gradual ligjor të legjislacionit të Kosovës me acquis të BE për punën, shëndetin, sigurinë në punë dhe mundësi të barabarta për gratë dhe burrat, për Personat me Aftësi të Kufizuara dhe për personat që i përkasin grupeve minoritare dhe grupeve të tjera të cenueshme, duke ju referuar nivelit ekzistues të mbrojtjes në Bashkimin Evropian.

3. Pasojat

Përpos që, duke qenë i papunësuar, Personi me Aftësi të Kufizuar mbetet i paintegruar në shoqëri, me pamundësi tjera për t’ia dalë me shpenzimet e veta, familja e tij mbetet më e varfëruar, për shkak të nevojave të veçanta të anëtarit të vet, si dhe institucionet mbesin pa i kryer obligimet ligjore ndaj këtyre personave, si konsekuencë mund të rrjedhin edhe pasoja tjera, si:

• Varfërohet arka e punëdhënësit, pasi obligohet që, për nxitjen e punësimit të Personave me Aftësi të Kufizuara, të paguajë pagesat mujore në lartësi të shumës së pagës minimale, për çdo Person me Aftësi të Kufizuar që duhet të kishte punësuar.

• Sipas Nenit 92 të Ligjit të Punës, personi fizik ose personi juridik që nuk i përfill dispozitat e këtij ligji , në procedurë ligjore , do të dënohej me të holla prej 100 deri në 10000 € & cilido person që bën diskriminim, kundër personit i cili kërkon punë apo kundër të punësuarit, sipas nenit 5 të këtij ligji, do të gjobitet në lartësinë e trefishit të përcaktuar në paragrafin 1. të këtij neni.

• Poashtu, Ligji Kundër Diskriminimit i mbron Personat me Aftësi të Kufizuara nga diskriminimi dhe në Nenin 2 thotë se nuk do të ketë kurrfarë diskriminimi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndaj personit, në bazë të gjinisë, moshës, gjendjes martesore, gjuhës, paaftësisë fizike apo mendore, orientimit seksual, kombit, mendimit apo bindjes politike, religjionit apo besimit, përkatësisë etnike apo sociale, racës, pronës, lindjes ose statuseve tjera & Në nenet 3, 4 dhe 9 theksohen aspektet e diskriminimit dhe sanksionet për to.

4. Propozim

♦ Variabla 0.1…% e të verbërve të punësuar është më shumë se alarmante dhe thërret që të ndërmirren masa konkrete për zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe përafrimit substancial të kësaj përqindje me kuotën e paraparë ligjore për punësimin e tyre.

♦ Legjislacioni që obligon punësimin e një Personi me Aftësi të Kufizuar në çdo 50 punëtorë, në kushte të favorshme dhe me përparësi, përcaktohet sipas kritereve të veçanta të përcaktuara në ligje të posaçme dhe nuk është në kolizion me ligjet tjera, si me Ligjin e Punës apo me Ligjin për Shërbyes Civilë, sepse kjo çështje mund të shkojë ndaraz rekrutimit të shërbyesve apo profesionistëve publik, sipas një strategjije

institucionale, por edhe kandidati i verbër apo Person me Aftësi të Kufizuar, po që se dëshiron, mund t’i nënshtrohet drejtpërsëdrejti konkurencës së hapur dhe të mos thirret në këto ligje të posaçme.

♦ Institucionet përkatëse obligohen nga legjislacioni ta përcjellin dhe mbikëqyrin procesin e rekrutimit të Personave me Aftësi të Kufizuara, për të mos e lënë këtë çështje të ndijshme vetëm në diskrecionin e komisioneve përzgjedhëse, në mënyrë që të mos ketë hamendje rreth implementimit të dispozitave adekuate ligjore, pasi që komisionet përzgjedhëse ndodhë që i bishtnojnë ato dispozita dhe për ta përmbyllur me mbulesë procesin e mospranimit të të verbërit, e forcojnë aty për aty kriterin e pyetjeve intervistuese apo bien në koncensus të pashpallur që t’i anashkalojnë këta persona.

♦ Përndryshe, ky hendek i madh mes të një të drejte ligjore për punësim dhe një pamundësimi gati total, mund të interpretohet: si mosnjohje e domethënies së legjislacionit përkatës apo mosdashje e zbatimit të tij, si averzitet ndaj Personave me Aftësi të Kufizuara, si paragjykim dhe stereotipizim i aftësive të tyre për punë, si diskriminim i këtyre personave për t’i plotësuar ndërkohë ato vende mbi bazën e fenomeneve negative në shoqëri (korrupcionit, nepotizmit, etj).

♦ Sa u cek më lartë, sanksionet ligjore, që ndërlidhen me punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, janë evidente, ndaj dhe vlen zbatuar parimi i ligjshmërisë, para se të shtrëngohen të verbërit, që, përmes kontesteve gjyqësore apo formave tjera, t’i kërkojnë të drejtat e kësaj natyre, sepse kostoja për punëdhënësin dhe personin kompetent është më e madhe se vetë pranimi i Personave me Aftësi të Kufizuara në punë.

♦ E për të mos ndodhur kjo, si dhe në funksion të implementimit efektiv të legjislacionit për punësimin e të verbërve, propozojmë që Autoriteti Publik kompetent, të nxjerrë një akt të vetëm nënligjor, i cili do t’i sublimojë dispozitat e lartcekura dhe në mënyrë eksplicite të përshkruajë formën e rekrutimit dhe punësimit të të verbërve në tregun e hapur të punës në Republikën e Kosovës./Lajmi.net/