Të punësohen gratë e burgosura

Ministri shqiptar i Drejtësisë Ylli Manjani kërkon ndihmën e sipërmarrësve privat për riintegrimin e grave dhe vajzave në konflikt me ligjin. Në vijim të fushatës sensiblizuese “Djemtë dhe burrat pjesë e zgjidhjes, tregoni se jeni kundër dhunës”, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, organizuan dj një aktivitet me fokus punësimin e grave dhe vajzave në konflikt me ligjin.

Lajme

30/06/2016 08:13

Gjatë këtij aktiviteti morën pjesë Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto etj. Në takim punësimi u konsiderua si faktor kryesor për rehabilitimin dhe përgatitjen e këtyre grave për t’u riintegruar në shoqëri pas lirimit.

“I bëj thirrje çdo sipërmarrësi shqiptar, fasoni etj, që si administrata e burgjeve apo edhe Ministria e Drejtësisë, jemi gati të çelim çdo lloj lehtësie që të krijojmë marrëdhënie bashkëpunimi në institucionet penitenciare për ata që dëshirojnë të punojnë”, tha Manjani.

Në takimin me gratë e dënuara të burgut 325 edhe ministri Klosi dha mbështetjen e tij. “Duke patur profesione rriten dhe mundësitë që pas daljes nga këto mure, të keni mundësinë të integroheni në shoqëri nëpërmjet punës së denjë”, tha ministri Klosi.

Në vijim të takimit me gratë dhe vajzat në konflikt me ligjin u zhvillua dhe diskutim i hapur mbi politikat e punësimit. Një nga të burgosurat gjatë diskutimit i kërkon ministrit Manjani të dalin të punojnë ditën dhe të kthehen në darkë në ambientet e burgut. Këtë ide të të burgosurës ministri e mirëpriti dhe i përgjigjet se do shqyrtohet si mundësi.

Ndërsa një e burgosur tjetër u shpreh e shqetësuar në lidhje me ligjin e dekriminalizimit dhe pyet ministrin se çfarë do ndodhi pasi ato të dalin nga burgu. Lidhur me këtë ministi i thotë se do të riintegrohen pa asnjë problem dhe me shaka i thotë që në qoftë se do të dëshironte të behej ministre, rrugën e ka të hapur. Në përfundim të aktivitetit u prezantuan edhe disa punime artizanale të realizuara nga vajzat dhe gratë e privuara nga liria.