Të premten, shqiptarët e veriut vazhdojnë rindërtimin e shtëpive

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës Jugore, Safet Kamberi, ka biseduar sot me pronarët shqiptarë të shtëpive që duhet të rindërtohen në lagjen veriore “Kroi i Vitakut”.

Lajme

19/03/2015 19:01

Ai gjithashtu ka biseduar edhe me përfaqësuesit e kësaj lagjeje dhe me operatorët përfitues të tenderit për rindërtimin e shtëpive, me qëllim të marrjes së një vendimi se si do të veprohet në kushtet dhe rrethanat kur grupe serbësh fillojnë sërish pengesat në rindërtimin e shtëpive shqiptare në lagjen e lartpërmendur.

Shqiptarët e ‘Kroit të Vitakut’ thanë se më nuk e kanë ndërmend zmbrapsjen nga qëllimi i rindërtimit të shtëpive të tyre, pa marrë parasysh pasojat që do i shkaktojnë serbët me veprimet e tyre për moslejimin e kthimit në shtëpitë e tyre.

“Ne do të nisemi për çdo ditë në mëngjes për të shkuar në trojet tona për të punuar në rindërtimin e shtëpive tona. Kjo është një e drejtë e patjetërsueshme e garantuar me ligje dhe konventa ndërkombëtare. Për rindërtimin e shtëpive në vendin ku kanë qenë, nuk duhet kurrfarë leje. Leje nuk kanë kërkuar serbët për rindërtimin e 140 shtëpive në Frashër, as romët për rindërtimin e rreth 100 shtëpive në lagjen e tyre buzë Ibrit, e madje as shqiptarët në “Kodrën e Minatorëve dhe në “lagjen e Boshnjakëve. Pse duhet vetëm ne të kërkojmë leje. Kjo është e papranueshme dhe është kërkesë e ekstremistëve serbë, që nuk duhet të merret parasysh”, kanë thënë ata.

Shqiptarët e “Kroit të Vitakut” kërkuan nga nënkryetari Kamberi, që të njoftojë Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera vendore e ndërkombëtare për qëllimin e tyre, që të vazhdojnë punimet për rindërtimin e shtëpive.

Në anën tjetër, nënkryetari Kamberi, tha se komuna i ka dënuar veprimet kriminale të ekstremistëve serbë dhe fuqishëm i mbështet kërkesat e tyre për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara gjatë luftës.

Ai i njoftoi ata edhe me takimet që kryetari Bahtiri dhe ai kanë pasur me ministrat e qeverisë së Kosovës dhe kryeministrin Mustafa, ku i kanë njoftuar ata për këto probleme dhe kanë kërkuar mbështetje financiare për rindërtimin edhe të shtëpive të tjera, që ende nuk janë rindërtuar.

“Juve askush nuk ka të drejtë të ju pengojë të ndërtoni shtëpitë tuaja dhe të ktheheni për të jetuar atje. Këtë nuk do të mund ta bëjë askush dhe ju garantoj se e keni mbështetjen e plotë të kryetarit Bahtiri, timen dhe të komunës, për kthim në trojet ku keni jetuar më parë. Po ashtu, do ju mbështesim materialisht aq sa mundemi, por edhe për vendimin që keni marrë për të vazhduar punimet nesër dhe për të mos u ndalur në asnjë mënyrë përderisa të filloni punimet. Mirëpo, ne kërkojmë nga ju që me asgjë të mos e provokoni askënd, të jeni gjakftohtë dhe syçelë”, ka thënë Kamberi.

Ai ka bërë të ditur po ashtu se do ta njoftoj policinë dhe institucionet tjera për vendimin e këtyre banorëve për të filluar punimet, bashkë me kërkesën që të ju ofrojnë siguri të plotë gjatë procesit të punës, si dhe t’i arrestojnë të gjithë ata që bëjnë veprime të tilla kriminale.