Të hënën pritet të rifillojë mësimi në shkollat e Prizrenit

Komuna e Prizrenit pritet që nga e hëna ta bojkotojë grevën e SBASHK-ut.

Lajme

24/01/2019 19:54

Drejtori i Arsimit në Prizren, Skënder Susuri, shpreson se të hënën do të rifillojë procesi mësimor në këtë qytet.

“Ka lëvizje pozitive që të hënën të rifillojë procesi mësimor në Prizren”, tha Susuri për ‘RTVB’.

Ai, tregon se për fillimin e procesit mësimor janë të interesuar edhe disa mësimdhënës dhe Këshillat e prindërve.

“ I kam nënshkrimet të Këshillave të prindërve dhe të një numri të mësimdhënësve të cilët kërkojnë fillimin e procesit mësimor”, ka thënë Susuri.

Ndërkaq, greva e mësimdhënësve në shkolla, ka hyrë në javën e dytë edhe në Prizren.
Ata kanë refuzuar ofertën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për rritjen e pagave.

Drejtori Susuri tha se të gjithë mbështesin kërkesën e mësimdhënësve për pagat, por jo edhe për formën e protestës.

“Edhe unë do të dal bashkë me mësimdhënësit në protesta, por jo të mbesin fëmijët në shtëpi”.