Të gatshëm për zgjedhje të parakohshme

Shefat e Grupeve Parlamentare thonë se janë të gatshëm për zgjedhje të parakohshme, ndonëse nuk e konsiderojnë të nevojshme, sidomos jo pa reformë zgjedhore. Ndërkohë, Balotazhi dhe Festa e 28 Nëntorit shtyjnë seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës.

Lajme

25/11/2013 12:48

Fushatat e garës për balotazhin dhe festa e 28 Nëntorit kanë bërë që Kryesia e Kuvendit të Kosovës ta shtyjë seancën e rregullt për datën 5 dhjetor.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se seanca është shtyrë për shkak të Festës së 28 Nëntorit – e cila megjithatë nuk është festë zyrtare në Kosovë, por jo edhe për shkak të zgjedhjeve.

“Kësaj radhe nuk është çështje e zgjedhjeve. Unë e kam përfunduar dhe nuk do të jem pjesë e balotazhit”, ka thënë ai, pas takimit të Kryesisë së Kuvendit.

Shefat e Grupeve Parlamentare, ndërkaq, kanë folur para mediave për gatishmërinë e tyre për zgjedhje të parakohshme..

Adem Grabovci, Shef i GP të PDK`së, ka thënë se nuk është e nevojshme që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, por sipas tij partia më e madhe në vend është e gatshme për zgjedhje të parakohshme.

“PDK nuk sheh asnjë arsye të vetme që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Buxheti ka marrë mbështetjen e fuqishme, kështu që nuk ka asnjë arsye për të shkuar në zgjedhje të parakohshme”.

“Por, nëse pyesni se a jemi të përgatitur, PDK është e gatshme, është e konsoliduar dhe struktura e saj funksionon”.

“Qytetarët e Kosovës konfirmuan mbështetjen që i japin Partisë Demokratike të Kosovës, është partia e parë në nivel vendi”.

Ndërsa Ismet Beqiri, Shef i GP të LDK`së ka thënë se primare për ta janë zgjedhjet e raundit të dytë,  mirëpo, sipas tij, LDK është e gatshme për çdo gjë.

“Për ne prioritet është kjo javë, java e garës në zgjedhjet lokale. Ky është preokupimi numër një i LDK’së, edhe këtyre ditëve, edhe javëve që shkuan”.

“E kemi thënë disa herë që jemi të gatshëm për çdo variant, në çdo rrethanë”.

“Kjo Qeveri është Qeveri e cila për mendimin tonë asnjë shans nuk e ka për ta përfunduar mandatin e saj të rregullt, kështu që çdo gjë është e pritshme”.

Ismet Beqiri ka pohuar se LDK është për reformë zgjedhore, ndërsa ka thënë se dihet kush janë ata që e kanë bllokuar këtë proces.

“Jemi që të bëhet reforma, por nuk duhet të mbesim peng të reformës”.

“Kosova duhet t`i mbajë zgjedhjet nacionale e aq më tepër sa më shpejt që është të shkojnë në shtëpi këta për të cilët po flasim që nuk meritojnë me qenë në qeverisjen e këtij vendi, sepse po shihet se çfarë po i bëjnë vendit tonë”.

Ardian Gjini, Shef i GP të AAK`së është shprehur se partia e tij nuk do të mirëpriste një variant që të shkohet në zgjedhje pa kod të ri zgjedhor. Ai thotë se nëse rrethanat e imponojnë, ata do t`i bëjnë përgatitjet.

“Kjo legjislaturë është përcjellë me shumë probleme, me shumë ngërçe, refleksion është edhe qeverisja. Shpresoj që gjatë muajit dhjetor partitë të pajtohen për ndryshim të kodit zgjedhor dhe të shkojmë në zgjedhje më kod të ri zgjedhor”.

“Nuk mendojmë se është mirë për Kosovën që të shkohet në zgjedhje pa reformë zgjedhore”.

“Nëse do të imponohet një situatë e tillë, e pa dëshirën e Aleancës, ne me siguri se do të bëhemi gati dhe do të shkojmë në zgjedhje”.