Tanaskoviq: Ekzistojnë gjasa të mëdha që të shtyhet votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO

Ambasadori i Serbisë në UNESCO, Darko Tanaskoviq, ka deklaruar se janë duke u rritur shanset që votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO të shtyhet, shkruan e përditshmja serbe Blic.

Lajme

04/11/2015 10:11

“E kam përshtypjen se propozimi për shtyrjen e diskutimit për pranimin e Kosovës në UNESCO, është duke marrë mbështetje të gjerë në qarqet diplomatike”, ka shtuar Tanasakoviq, transmeton lajmi.net.

Ambasadori serb pranoi se është ende e paqartë se çfarë do të jetë rezultati i votimit në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, por tashmë ka vërejtur një dozë të shtuar nervozizmi tek kundërshtarët, të cilët sipas tij e kanë kuptuar se nuk do ta kenë të lehtë të sigurojnë dy të tretat e votave të nevojshme.

“Disa vende që kanë qenë të prira të përmbahen nga votimi ose të votojnë për pranimin e Kosovës në UNESCO, kanë filluar ngadalë të afrohen dhe të pranojnë politikisht dhe ne çdo aspekt idenë e saktë për shtyrjen e këtij debati deri në konferencën e ardhshme, ose të mos e diskutohet fare derisa të mos krijohen kushte të favorshme për një debat të tillë mbi këtë temë”, ka shtuar Tanaskoviq. (lajmi.net)