Tahiri në Bruksel, për dialogun

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri në Bruksel është takuar me Frenando Gentilini, Drejtor për Ballkanin në Shërbimin për Punë të Jashtme të BE-së. Temë kyçe e bisedës kanë qenë përparimet mbi planin e zbatimit të Marrëveshjeve të Brukselit.

Lajme

10/04/2014 15:09

Edita Tahiri, ka biseduar sot në Bruksel me përfaqësues të BE-së lidhur me procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në një takim pune midis Zëvendëskryeministres Tahiri dhe Drejtorit për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin në Shërbimin për Punë të Jashtme të BE-së, Frenando Gentilini, u fol për planet mbi zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit si dhe për zotimin e Qeverisë së Kosovës për vazhdim të angazhimeve sa i përket zbatimit të të gjitha marrëveshjeve, shkruan në një komunikatë të Qeverisë së Kosovës.

“Në këtë takim u vlerësua se deri tani janë shënuar përparime mjaft të rëndësishme në zbatimin e marrëveshjeve, integrimin e serbëve të pjesës veriore dhe  vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të shtetit të Kosovës”, thuhet në këtë komunikatë.

“Ata shprehën pajtimin se dialogu për normalizim ka ndikuar pozitivisht në rrugën e integrimit evropian për Kosovën dhe se duhet të vazhdojë më tej në kuadër të procesit të përafrimit të të dyja vendeve me Bashkimin Evropian”.

“Në ketë takim, Tahiri kërkoi edhe njëherë nga BE-ja që si ndërmjetëse këtij procesi, të rrisë angazhimet në frymën e asaj që të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen plotësisht sipas marrëveshjes së 19 prillit dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”.

Në anën tjetër, Fernando Gentilini ka shprehur gatishmërinë e BE-së që të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së dhe deklaroi se “Bashkimi Evropian është shumë i angazhuar në lehtësimin dhe jetësimin e zbatimit të marrëveshjeve dhe se në ketë drejtim jemi në kontakte të përhershme me të gjitha palët e përfshira në ketë proces”, shkruan në komunikatë.