Tahiri: Heqja e ‘Parkut të Paqes’ i jep fund ndarjes së Mitrovicës

Ministrja për Dialog Edita Tahiri e vlerëson si ngjarje shumë të rëndësihme heqjen e barrikadës mbi urën e lumit Ibër nga ana e Bashkimit Evropian.

Lajme

19/10/2015 14:05

Zbatimi i marrëveshjes së Brukselit për heqjen e barrikadës dhe revitalizimit të urës së Ibrit ka nisur zbatimin më 17 tetor.

Tahiri thotë se heqja e barrikadës, i jep fund ndarjes së Mitrovicës dhe se kjo urë prej një ure ndarëse po bëhet urë e bashkimit për Mitrovicën dhe Kosovën.

“Në kohën kur e fituam lirinë në 1999, mbase asnjëri nuk e kishte besuar se do të duheshin 15 vjet për ta bashkuar Mitrovicën, dhe nuk është se kanë munguar përpjekjet e qeverive të kaluara për ta realizuar këtë qëllim, mirëpo munguan rezultatet shkaqet e të cilave të gjithë i dimë. Prandaj, fal dialogut të Brukselit, qëllimi jonë u arrit, në frymë dialogu dhe në mënyrë paqësore. Tani e tutje Ura e Ibrit do të jetë si çdo urë tjetër në botë, një sinonim i bashkimit. Nuk do të ndjejmë më dhimbje kur përmendet ura e Ibrit por do të ndjejmë gëzim dhe liri ashtu siç e ndjejmë lirinë që e fituam pas një shekulli lufte e sakrificash të mëdha kombëtare”, ka thënë ministrja Tahiri.

Tahiri ka vlerësuar se heqja e barrikadës dhe revitalizimi i urës do të sjellin stabilitet politik dhe siguri për të gjithë qytetarët, gjë e cila u dëshmua edhe me nismën e punimeve në këtë urë.

“Natyrisht, kërkohet një mirëkuptim dhe durim që punimet të përfundojnë me sukses dhe në qershor të vitit 2017, që të përjetojmë një fund për atë që nuk e deshëm dhe një fillim për atë që duam”, thotë Tahiri, njofton Zyra e Kryeministrit, raporton lajmi.net.

Ministrja Tahiri po ashtu ka folur edhe për hapat tjerë drejtë bashkimit të qytetit të Mitrovicës. Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës po punon për të konsoliduar bashkëpunimin mes dy komunave të Mitrovicës dhe në periudhën vijuese do të krijohet edhe Bordi i përbashkët për menaxhimin e çështjeve lokale, bord ky i paraparë me Planin e Ahtisarit.

Në lidhje me vijën administrative mes dy komunave, ministrja Tahiri theksoi se vija administrative mes Mitrovicës Jugore dhe Mitrovicës Veriore është e përcaktuar me ligjet e Kosovës dhe Planin e Ahtisarit dhe kjo vijë është mbi lumin Ibër në pjesën veriore të saj. Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor është kompetente për të përcaktuar zonat kadastrale të fshatrave Suhadoll dhe Kroi i Vitakut, sipas hartave të caktuara nga Plani i Ahtisarit, dhe ky proces po zhvillohet në bashkëpunim me kryetarët e dy komunave, për të cilën do të bëhet edhe një Memorandum mirëkuptimi.

Ajo po ashtu ka thënë se, Qeveria e Kosovës siguron qytetarët e fshatrave Suhadoll dhe Kroi i Vitakut se do të respektohen ligjet e Kosovës në lidhje me vijën administrative mes dy komunave dhe se nuk ka vend për shqetësime në këto çështje.

“Proceset e shtetndërtimit në një vend siç është Kosova me një histori lufte të rëndë dhe shkatërruese, po tregohen jo të lehta, por me një angazhim siç po e bëjmë si institucione shtetërore dhe partneritet me aleatët tanë ndërkombëtarë SHBA-të dhe BE-në, Kosova po dëshmon fuqinë e saj për të përballuar çdo sfidë drejtë vizionit për tu bërë një shtet euro-atlantik”, thotë Tahiri.

Revitalizimi i Urës realizohet dhe financohet nga BE-ja, sipas një plani të dakorduar simetrik në të dyja anët e lumit Ibër. Ura do të hapet për automjete dhe këmbësor jo më larg se fundi i qershorit 2016.

Po ashtu, kjo marrëveshje i jep fund ndërtimeve të egra dhe pretendimeve serbe për të ndryshuar strukturën etnike në fshatrat e Suhadolit dhe Kroit të Vitakut, duke i dhënë mbështetje Memorandumit të Mirëkuptimit mbi Planin e Zhvillimit Komunal mes MAPH dhe dy kryetarëve të komunave të Mitrovicës,  në pajtim me hartat e linjave administrative të zonave kadastrale të të dyja fshatrave, të përcaktuara me ligjet e Republikës së Kosovës

BE dhe Grupi Punues do të monitorojnë rregullisht së bashku me dy kryetarët e komunave gjendjen politike dhe sigurisë  gjatë procesit të revitalizimit./lajmi.net