Valdete Idrizi: Askush nuk duhet të lirohet nga përgjegjësia ndaj fëmijëve

Valdete Idrizi, mori pjesë në Tryezën e organizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) dhe Save the Children, në kuadër të projektit PROtectChild, synimi i së cilit është të avokojë tek Republika e Kosovës që Aprovimi i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve të trajtohet me prioritet.

Lajme

03/11/2017 17:43

Kjo Tryezë ka mbledhur kandidatët për kryetar të komunës, kandidatë për asamble komunale, zyrtar komunal, mësimdhënës, drejtor shkolle dhe përfaqësues nga shoqëria civile, për të informuar dhe diskutuar rreth projekt-ligjit për mbrojtjen e fëmijës dhe rëndësisë së tij si dhe për të diskutuar mundësitë e aplikimit të këtij ligji në nivelin komunal.

Në fjalën e rastit, Valdete Idrizi, shpalosi vizionin e saj rreth temës së Tryezës, duke theksuar se Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, është i rëndësishëm ngase, do të krijoj bazën për mbrojtjen e të tashmes dhe të ardhmes tonë, fëmijëve.

“Shembulli nuk është gjëja kryesore për të influencuar të tjerët. Është e vetmja gjë, ka theksuar Dr. Albert Schweitzer”, e filloi fjalën e saj Znj. Idrizi.

“Gjatë qeverisjes në mandatin e ardhshëm, fëmijët do të jenë në fokus të disa dikastereve të pushtetit lokal në Mitrovicë. Që nga përkujdesja shëndetësore primare, e cila do të jetë gjithëpërfshirëse, do të jetë sistematike dhe më cilësore. Pengimi i sëmundjeve është fokusi im. Vaksinimi dhe kontrolli i rregullt në çerdhe dhe shkolla.

Siguria është segmenti tjetër thelbësor për fëmijët, duke siguruar ambient të sigurt dhe të qetë. Kjo sigurohet me bashkëpunimin e institucioneve të ndryshme si arsimi në të gjitha nivelet, përkujdesja sociale, organet e sigurisë në komunitet por edhe organet e drejtësisë kur bëhet fjalë për parandalimin e dhunës në familje”, theksoi znj. Idrizi.

Ajo më tej theksoi se angazhimi i saj do të jetë i përqendruar në uljen e rrezikut, dhunës dhe kërcënimet për fëmijët, nëpërmjet ngritjes së sigurisë në shtigjet nga qarkullojnë nxënësit, palestrat e sporteve apo stadium. Do ta ngris sigurinë në trafik, në veçanti në kohën e orarit të mësimit, përcjelljen e kalimit në rrugë, aftësimin e plotë të kamerave në rrugë dhe vendbanime, ndriçim të rrugëve me sistemin solar.

“Do të shtohet prania e punëtorëve socialë në shkolla, pranë nxënësve me probleme apo çrregullime në familje, duke këshilluar dhe duke komunikuar për secilin rast veç e veç, në të njëjtën kohë, ngritjen e cilësisë së qendrës për punë sociale, duke vepruar me koncepte dhe standarde të larta”, theksoi znj. Valdete Idrizi për të vazhduar se Departamenti i arsimit, do t’i kushtoj rëndësi të madhe ngritjes së komunikimit Prindër-kujdestarë-mësimdhënës, duke krijuar klimë të re dhe marrëdhënie të fuqishme për ngritjen e cilësisë së arsimit dhe suksesit të nxënësve.

Më tej, znj. Idrizi theksoi se “do të ofroj zgjidhje dhe të gjejmë zona për lojëra të fëmijëve, deri në 6 vjet, me kopshte që ofrojnë njohuri për kafshët, teknikën me qëllim të ngritjes së kureshtjes dhe imagjinatës së tyre për të qenë edhe social, edhe argëtues për ta. Qendra e fëmijëve dhe teatri i kukullave, do të jenë projekte të mia ambicioze në mandatin e ardhshëm. Një problem në Mitrovicë është edhe higjiena në shkolla, femijët në rrugë, lypësit dhe shitësit ambulant. Një masë tjetër është edhe krijimi i klubeve të gjelbra nëpër shkolla, dhe organizimin e aksioneve të pastrimit në shkolla në mënyrë që të ngritet ndërgjegjësimi i fëmijëve për mbrojtjen e mjedisit. Kjo mund të bëhet më politika të veçanta e rregullore, ka theksuar znj. Idrizi.

Ajo u zotua se do të bashkëpunoj ngushtë edhe me shoqërinë civile, ngase ishte ndër të parat që e ka nënshkruar Deklaratën e Zotimit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, me KOMF (Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve).

“Jam zotuar që komuna e Mitrovicës do të ketë qeverisje të përgjegjshme që respekton dhe mbron të drejtat e fëmijëve” theksoi znj. Idrizi.

“Përgjegjësinë ndaj fëmijëve e shoh si gjithëpërfshirëse, nga kjo përgjegjësi nuk duhet të lirohet askush. Nuk do të lejoj zhvillim stihik të së tashmes dhe të ardhmes tonë, fëmijëve. Këtë fjalë rasti, do ta mbyll me porosinë e Neil Postman, Fëmijët janë mesazhe të gjalla që ne dërgojmë në një kohë që ne nuk do ta shohim.

Ajo do të jetë, pa dyshim, kohë e mirëqenies, paqes dhe dashurisë mes njerëzve, në Mitrovicë dhe atdheun tonë”, ka theksuar Valdete Idrizi, kandidate e PDK-së për kreun e komunës së Mitrovicës, duke shtuar se kjo është pjesë e platformës së saj për mandatin e ardhshëm sa i takon mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të fëmijëve.

Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve ka kaluar në shumë procese të ndryshme, duke përfshirë edhe miratimin nga katër komisionet përkatëse por, për shkak të pezullimit të Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të nenit 86 të Rregullores së Punës së Kuvendit, ky ligj i është kthyer Zyrës së Kryeministrit.

Diskutimet dhe rekomandimet nga tryeza do të shërbejnë si argumente plotësuese për ligjin.