Sinjal i fortë nga Uashingtoni për Erdoganin

Shtetet e Bashkuara së shpejti mund të ngrijnë përgatitjet për dërgimin e aeroplanëve F-35 në Turqi.

Bota

22/03/2019 07:44

Kështu thuhet të kenë thënë zyrtarë amerikanë për mediumin prestigjioz Reuters, përcjell Telegrafi, sipas të cilëve ky do të ishte sinjali më i fortë i Uashingtonit për Ankaranë, duke shtuar se Ankaraja nuk mund të ketë avionë të avancuar dhe sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 të Rusisë.

Kjo pasi që siç thuhet tutje, blerja e një sistemi mbrojtës ajror rus nga ana e Turqisë, do të kompromentonte sigurinë e aeroplanëve F-35.

“S-400 është një kompjuter. F-35 është një kompjuter. Ju nuk e lidhni kompjuterin me kompjuterin e kundërshtarit tuaj dhe kjo është në thelb ajo që ne do të bëjmë”, citohet të ketë thënë për Reuters, Katie Wheelbarger, ndihmës sekretare e mbrojtjes për çështjet e sigurisë ndërkombëtare.

Derisa nuk është marrë asnjë vendim, zyrtarët e SHBA-së konfirmuan se Uashingtoni po shqyrtonte ndërprerjen e hapave që po bëhen për Turqinë, e gatshme për të marrë aeroplanët F-35, të ndërtuar nga Lockheed Martin Corp.

Nëse Turqia do të tërhiqej nga programi F-35, kjo vlerësohet të ishte kriza më serioze në marrëdhëniet midis dy aleatëve në dekada, sipas Bulent Aliriza, drejtor i projektit të Turqisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Gjithsesi, mediat shkruajnë se çështjet e lidhjeve midis Uashingtonit dhe Ankarasë tashmë shtrihen përtej F-35, përfshirë strategjinë në Siri, sanksionet e Iranit dhe ndalimin e stafit konsullor të SHBA.

“Kjo (ftohja për F-35) është me të vërtetë një simptomë, jo një shkak i problemit midis dy vendeve”, vlerëson Aliriza.

Madje, supozohet se tensionet mund të përshkallëzohen më tej. Nëse Ankara shkon përpara me marrëveshjen ruse, Turqia gjithashtu mund të përballet me sanksionet e SHBA-së.

Përkundër këtyre, shkruan Reuters, një zyrtar turk i ministrisë së jashtme tha të enjten se qëndrimi i Ankarasë nuk kishte ndryshuar. “Pozicioni ynë për këtë çështje është i dukshëm”, ka thënë zyrtari.