Rezervat shtetërore: Kosova mund t’u rezistojë tragjedive vetëm 5 orë

Qytetarët e Kosovës duhet të luten që të mos kenë asnjë fatkeqësi natyrore e të mos flasim për gjendje lufte, sepse në një rast të tillë rezervat ushqimore që Kosova i ka në dispozicion janë të mjaftueshme vetëm për 5 orë, apo vetëm 20 ditë për 20.000 banorë. Në rezerva shtetërore nuk ka as barna.

Lajme

24/08/2015 11:19

Qeveria e Kosovës, prej rezervave shtetërore ka siguruar produkte të grurit për 20 ditë, kurse artikuj tjerë ushqimor sigurohen vetëm për 15 mijë banorë, ndërsa nafta dhe derivatet e saj 3 ditë të importit të përgjithshëm vjetor.

Artikuj tjerë jo ushqimor të propozuar në listë janë planifikuar për nevojat e 20 mijë banorëve. Mirëpo, në listën e mallrave rezervë nuk bëjnë pjesë barnat, edhe pse sipas zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kjo listë e mallrave me barna pritët të shtohet nga viti 2016.

Udhëheqësi i Departamentit të Rezervave Shtetërore në kuadër të MTI-së, Ekrem Avdyli, thotë për KosovaPress, se prej rezervave shtetërore janë të përqendruar në produkte ushqimore, por jo edhe me listë esenciale të barnave. Ndërsa, sipas tij, Kosova mund të qëndroj vetëm 20 ditë nga rezervat shtetërore për të gjithë popullatën me grurë, kurse me produkte të tjera ushqimore rezervat janë për 15 ditë dhe vetëm për 20 mijë banorë.

“Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave në bashkëpunim me përfaqësuesit e ministrive të linjës kanë vendosur këto kritere për sasitë e produkteve të rezervës shtetërore. Gruri 20 ditë për nevojat e konsumit për gjithë popullatën, bazuar në nevojat vjetore për miell, bukë, dhe të ngjashëm, sheqeri 15 ditë për nevojat e konsumit për 20 mijë banorë. Artikuj tjerë ushqimor sigurohen për 15 mijë banorë nga konsumi i përgjithshëm vjetor. Nafta dhe derivatet e saj 3 ditë të importit të përgjithshëm vjetor”, tha Avdyli.

Për Avdylin sipas ligjit në fuqi, vendndodhja e mallrave rezervë është sekrete, dhe kjo është e përcaktuar me ligjin në fuqi për mallrat rezervë.

“Të gjitha rezervat e mallrave janë të vendosura tek operatorët ekonomik privat, por që sipas planit strategjik dhe programit vjetor, vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohet sekret shtetëror.”, tha Avdyli.

Eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, thotë se ligji aktual nuk i trajton rezervat shtetërore në kuptimin që ato të jenë të mjaftueshme për një periudhë të gjatë dhe për tërë popullatën. Këto nuk mund të llogariten se janë rezerva të luftës apo rezerva të periudhave më të rënda.

Ai dyshon në saktësinë e këtyre të dhënave, sepse, sipas tij, nuk ka evidencë të përhershme.

“Unë dyshoj tek saktësia e të dhënave, për shkak se nuk ka një evidencë të përhershme, nuk ka një raportim të rregullt dhe nuk ka një mbikëqyrje të vazhdueshme të situatës me rezervat.”, tha Rexhepi.

Ndërkaq, kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një deklaratë për KosovaPress-in, shprehet i habitur se si mallrat rezervë janë aq të pa mjaftueshme. Sipas Kaçanikut, rezervat për 20 mijë banorë nuk mjaftojnë për më shumë se 5 orë për gjithë popullatën.

“Tani kemi informata se gjoja rezervat janë të mjaftueshme për 20 ditë, por çuditërisht për një modul prej 20 mijë banorëve. Nëse këtë 20 mijë e përpjesëtojmë me 2 milionë banorë na del që rezervat shtetërore hë për hë Republika e Kosovës i ka vetëm për 5 orë”, tha Kaçaniku. (KP)