Qeveria e ardhshme, AKR: Së bashku me Nismën do të jemi boshti i koalicionit LDK – VV

Bisedimet midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë së re po vazhdojnë – njëlloj edhe beteja e koalicionit Nisma-AKR për ta kaluar pragun zgjedhor.

Lajme

25/10/2019 21:59

Aktualisht, sipas të dhënave që kanë prezantuar të dy partitë, koalicioni e kalon pragun për një numër të vogël votash, siç edhe kanë parashikuar disa analistë, shkruan lajmi.net.

Ditë më parë, kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj është shprehur skeptik për qeverisjen e Vetëvendosjes dhe nuk ka mohuar mundësinë e bashkëpunimit me PDK-në në opozitë.

Në anën tjetër, zëdhënësi i AKR-së, Vesel Makolli i pyetur nëse do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme për lajmi.net është shprehur se AKR ka qenë gjithmonë parti institucionaliste dhe shpesh janë sakrifikuar.

“Ne gjithmonë kemi qenë institucionalistë, po flas më tepër për AKR-në, ne kemi punuar gjithmonë për të mirën e shtetit ju e dini që edhe e kemi sakrifikuar partinë shpesh që po na hakmerret. Ne do t’i analizojmë nëse është për të mirën e shtetit të hyjmë në qeveri do të hyjmë, ne nuk kemi vija të kuqe për askënd”, tha Makolli për lajmi.net.

Sipas Makollit, qeveria e ardhshme ka nevojë për shumicë shqiptare për shkak të vendimeve të mëdha, sipas tij AKR dhe Nisma ndajnë mendime të njëjta duke shtuar se do të jenë boshti i qeverisë së ardhshme dhe se votat e tyre do të jenë determinuese.

“Kjo qeveri ka vendime të rëndësishme për të marrë dhe ka nevojë për shumicë shqiptare, nëse ka nevojë do të hyjmë në qeveri. Ne me nismën kemi mendime të njëjta për qeverinë dhe mendojmë se do të jemi boshti i qeverisë së ardhshme, votat tona do të jenë determinuese, kështu e kemi parashikuar, bash ashtu nuk ka dalur, por përsëri po”, tha Makolli më tutje.

Krejt në fund, Makolli është shprehur se qeveria e ardhshme duhet t’i ketë numrat për të mos humbur kohë në vendime të mëdha.

LDK dhe Vetëvendosje kanë planifikuar qeveri me 12 ministri, ku 2 prej tyre do të ndaheshin për pakicat serbe dhe jo-serbe, ndërsa 10 të tjera, proporcionalisht midis dy partive e përfshierja e koalicionit NISMA – AKR do t’i ndryshonte këto matematika.

Se ku do të jetë pozicionimi i koalicionit pas zgjedhjeve nëse e kalojnë pragun mbetet të shihet, por kreu i LVV-së, Albin Kurti ka deklaruar shpesh se nuk i do partitë e PAN-it në qeverisje. /Lajmi.net/