Mision edhe turizmi

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka prezantuar në profilin tij fotografi të natyrës nëpër Kosovë. E përmes kësaj ai ka promovuar edhe planin e tij për turizmin.

Lajme

01/06/2014 20:27

“Duke bërë fushatë në çdo cep të Kosovës, po ju dërgoj ca fotografi nga republika jonë e bukur. Misioni i Ri është edhe plan për investime serioze në turizëm, duke filluar nga Brezovica. Përdoreni edhe ju vikendet të vizitoni pikat tona turistike – mësojani fëmijëve tuaj bukurinë e natyrës sonë në pranverën e vonshme kosovare”, ka shkruar ai. 

“Kosova ka një natyrë të mrekullueshme dhe gjithnjë e më shumë qytetarë po e kalojnë fundjavën në kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën dhe veprimtaritë tradicionale rurale”. 

“Ky sektor do të tërheq shumë turistë të huaj pasi përveç natyrës piktoreske, stimulohet edhe prej kulinarisë karakteristike, traditës së pasur folklorike si dhe bujarisë tipike kosovare Agroturizmi ka një potencial të madh zhvillimi e do të hap shumë vende pune prandaj Fondi i Punësimit do të ofroj financim për çdo ndërmarrës që do të investojë në këtë sektor”, ka shkruar ai. 

Në programin për Misionin e Ri parashihet një investim prej 200 milionë euro dhe krijimin e 4.000 vendeve të reja të punës në turizëm dimëror, duke hapur Qendrën Ndërkombëtare të Turizmit në Brezovicë. 

Përveç turizmit dimëror, PDK premton se do të investohet për të zhvilluar turizmin shëndetësor dhe terapeutik, agroturizmin, turizmin sportiv dhe të aventurës, turizmin kulturor e patriotik, të gjuetisë e peshkimit, si dhe atë transit, nëpërmjet të cilëve do të gjenerohen 20.000 vende të reja pune.