Lazareviq: Në Hagë kam mbrojtur të vërtetën, Serbinë dhe jetën time

Pas dhjetë vitesh dhe dhjetë muajsh të kaluara në burg në Sheveningen, dhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte që të pranohet kërkesa e tij për lirimin me kusht pasi ka vuajtur më shumë se dy të tretat e dënimit, gjenerali Vlladimir Llazareviq, i dënuar për krime lufte, është kthyer nga mesi i javës së kaluar në Nish të Serbisë.

Lajme

06/12/2015 16:47

Lazareviq ka qenë i akuzuar bashkë me gjeneralët serbë Nebojsha Pavkoviq, Sreten Llukiq dhe Vllastimir Gjorgjeviq, për përgjegjësinë komanduese dhe për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova.

Ai ishte dënuar me 15 vjet burgim, mirëpo pas shqyrtimit të ankesës së tij dhe të avokatëve, dënimi i është zbutur për një vit.

Lazareviq për të përditshmen serbe “Politika” ka thënë se “nuk e di përse i ka humbur 10 vite të çmuara të jetës së tij”, duke potencuar se ”megjithatë ka arritur të tejkalojë Hagën”.

Sipas tij, pavarësisht periudhave të vështira për shkak të sëmundjes së tij në burg, asnjëherë nuk ka menduar për asgjë tjetër përveç fitores ndaj të pavërtetave dhe rreth asaj se duhet t’i përballojë të gjitha.

“Gjatë gjithë kohës kam luftuar vetëm për të vërtetën, për Serbinë dhe për jetën time”, ka thënë Lazareviq.