Investimet e huaja direkte janë në rënie

Afro 39 milionë euro më pak të hyra ka pasur nga investimet e huaja direkte në Kosovë gjatë nëntë muajve të parë të vitit që shkoi, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013. Nuk ka parashikime optimiste as për vitin 2015.

Lajme

08/01/2015 08:03

Njohësit e çështjeve të ekonomisë vlerësojnë se një situatë të tillë po e shkaktojnë disa faktorë që lidhen me mungesën e sundimit të ligjit, forcën punëtore të pakualifikuar si dhe politikat jo të favorshme qeveritare për investitorët që krijojnë vende pune.

Sipas Agron Demit, drejtor i institutit “GAP”, investimet e huaja direkte janë në rënie të vazhdueshme në Kosovë që nga 2008-ta e këndej, shkruan sot Koha Ditore.

Valdrin Lluka, kryeshef për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), nuk ka qenë në gjendje të japë të dhëna për investimet gjatë tërë vitit që shkoi. Ai ka thënë se të dhënat e plota për tërë vitin 2014 nuk finalizohen deri në muajin mars sa u përket investimeve të huaja.

Mirëpo, sipas interesimeve dhe trendëve të deritashëm ai ka potencuar se edhe viti që shkoi pritet të përfundojë ngjashëm me 2013-n, ku ka pasur rreth 280 milionë euro investime të huaja direkte.