Bastiset adresa e 22 vjeçarit në Podujevë, sekuestrohet një revole e disa fishekë

Të shtëna me armë zjarri pati pasditen e djeshme në fshatin Lluzhan të komunës së Podujevës.

Lajme

15/12/2020 10:04

Menjëherë pas marrjes së informatës njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para gjurmuese dhe të këqyrjes së vendngjarjes kanë arritur të gjejnë një gëzhojë.

“Ndërkohë që është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, është zgjeruar horizonti i punës hetimore për të identifikuar personin që ka shtënë me armë, nga vetura e tij në drejtim të veturës tjetër”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu u bë e ditur se policia ka arritur të identifikojë një person të dyshimtë, A. T, 22 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës.

Pas kësaj policia ka organizuar një operacion bastisjeje në adresën e tij, me  ç’ rast ka gjetur dhe sekuestruar; Një revole të tipit ZORAKI, kalibrit 7.65 mm, si dhe, dy copë fishek.

Policia konform rekomandimit të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit i cili aktualisht është në arrati, ka iniciuar një hetim për vrasje në tentativë dhe  mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve./Lajmi.net/