Suedi: Fillon procesi kundër një azilkërkuesi të akuzuar për terror – Lajmi.net
Suedi: Fillon procesi kundër një azilkërkuesi të akuzuar për terror
Autori: Lajmi.net BotaLajme 16:08, 11 February 2018
Personi nga Uzbekistani, Rakhmat Akilov, azilkërkues në Suedi, i akuzuar për sulmin vdekjeprurës me kamion në Stokholm, në prill të vitit 2017, pritet të paraqitet në gjykatë gjatë javës së ardhshme.

Ai është i dyshuar se e ka vjedhur kamionin dhe ka lëvizur me të kundër turmës së këmbësorëve në kryeqytetin suedez, Stokholm, duke i vrarë pesë vetë.

Ai ballafaqohet me “terrorizëm dhe përpjekje për terrorizëm” në këtë proces, që mendohet se do të zgjasë deri më muajin maj të këtij viti, ndërsa vendimi pritet në qershor.

Parashikohet që procesi do të fokusohet në motivet e të akuzuarit, Rakhmat Akilov, 39- vjeçar, dhe nëse sulmi i tij ishte i paramenduar dhe a ka pasur motive fetare.

Pritet se fjalimi i tij në gjykatë do të jetë më 20 shkurt.

Një hetim i përbashkët i Shërbimeve për Uzbekistanin dhe Tagjikistanin të Radios Evropa e Lirë dhe të agjencisë suedeze të lajmeve TT, ka gjetur se Akilov ishte në kontakt direkt me militantët e dyshuar të Shtetit Islamik (IS) në Taxhikistan, para dhe pas sulmit vdekjeprurës më 7 prill të vitit të kaluar.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Stokholm.

Ministri i Brendshëm i Taxhikistanit, Ramazon Rahimzoda, i tha Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, se autoritetet suedeze nuk kanë qenë në kontakt me Taxhikistanin për lidhjet e Akilovit me anëtarët e dyshuar nga Taxhikistani të grupit militant, Shteti Islamik.

Nëse shpallet fajtor, Rakhman Akilov, i cili gjendet në paraburgim në Suedi, mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Akilov, punonjës i ndërtimtarisë, ishte arrestuar pak orë pas incidentit të rëndë dhe policia tha se ai e ka pranuar veprën një ditë më vonë, duke thënë se dëshironte t’i godiste “të pafetë” gjatë sulmit.

Sipas hetimeve, policia e Suedisë i ka gjetur kontaktet me disa persona të përshkruar si “të ndërlidhur me terrorizëm” në aplikacionet për mesazhe , siç janë Zello dhe Telegram, në telefonin mobil të Akilovit.

Në këto kontakte kishte emra të rrejshëm siç janë Abu Aisha dhe Abu Umar, për të cilat Radio Evropa e Lirë ka zbuluar se ishin emra të njëjtë të përdorur nga rekrutët e dyshuar të Shtetit Islamik nga Taxhikistani.

Akilov është pjesëtar i pakicës etnike taxhike në Uzbekistan.

Korrespondenti i Redaksisë për Uzbekistanin i Radios Evropa e Lirë, Sirojddin Tolibov, thotë se këto ishin pseudonime që kanë mundur t’i shfrytëzojnë vetëm militantët e lartë të Shtetit Islamik.

Irina Zemanova, ukrainase 38- vjeçare, e cila nga sulmi ka mbetur pa pjesën e poshtme të këmbës së djathtë, i ka thënë agjencisë AFP se për të është me rëndësi të marrë pjesë në gjykatë dhe të dëshmojë.

“Unë isha duke ecur nëpër rrugë…ju nuk prisni të ndodhë diçka e tillë si kjo…përnjëherë papritur, ky kamion më ka shkelur”, ka thënë Irina Zemanova.

Gjatë viteve të fundit në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara kanë ndodhur disa sulme me kamionë.

Sulmi i tillë më vdekjeprurës ishte kryer në Nicë të Francës më 14 korrik të vitit 2016, kur një kamion i ka goditur njerëzit që po shënonin një festë kombëtare franceze, duke i vrarë 86 vetë. Për këtë sulm përgjegjësinë e pati marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik.

Fjalët kyçe: azilkërkuesit, Suedi, Terror

Fotolajm

“Kulturë boksi” përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /FOTO
Foto, aparati për matjen e fuqisë së goditjes përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /lajmi.net ?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Bow Master Japan
  • Play Berry Rush
  • Play Rock Wheels
  • Play World Soccer Champion