Statuti i Trepçës i dërgohet Kuvendit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik e ka miratuar me shumicë të votave draft – statutin e Trepçës.

Lajme
Ky draft – statut është dërguar në Kuvend për votim. Por edhe pse ky draft – statut u miratua në Komision, disa prej deputetëve patën vërejtje për përmbajtjen e këtij dokumenti.
Në takimin e Komisionit i pranishëm ishte edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Anëtarja e Komisionit nga LDK, Hykmete Bajrami kërkoi sqarime nga ministri Lluka në lidhje me përfshirjen e pajisjeve në statutin e Trepçës.
“Meqenëse e kemi ministrin këtu dëshiroj që të ngre disa çështje, ju keni thënë në ‘Interaktiv’ se fabrikave e pajimeve nuk është përfshirë në pajisje, nuk i ka fajet borxhi. Çka për asetet jashtë Kosovës? Edhe një çështje, nëse një draft-statut i tillë kalon në Kuvend, shpresoj që përjashtimi i pajisjeve të mbetet në përgjegjësinë e Bordit”, tha Bajrami.
Edhe anëtari tjetër i Komisionit nga opozita, Liburn Aliu nga LVV pati disa vërejtje në lidhje me draft-statutin.
Aliu theksoi se në këtë draft-statut ka disa probleme serioze ekonomike dhe juridike.
“Kam frikën se me këtë nguti kanë me na u për-vjedhë gabime siç ka ndodhur në ligj. P.sh. ku bëhet fjalë për aksionet, ku thuhet që e kanë vlerë 1 euro, kjo nuk mund të përcaktohet sepse jo të gjitha aksionet e kanë vlerën 1 euro. Ne kështu votojmë dhe na del një statut me probleme ekonomike e juridike. Ka edhe probleme të tjera, por, unë i përmenda disa prej tyre. Ju kisha lut që mos me i bo gabimet që kanë kalu me ligj. Unë e kam një listë me gabime”, ka thënë Aliu.
Deputeti Lutfi Zharku nga LDK, theksoi problemin e përfshirjes së emrave të anëtarëve të Bordit të Trepçës në draft-statut. Sipas tij kjo nuk është praktikë e mirë dhe nuk është e paraparë me ligj.
Edhe deputeti Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje lexoi disa probleme në draft-statut.
“Ka shumë probleme që çdo pajtueshmëri mes jush nuk eliminon problemet që ekzistojnë. Nuk e di a ka hapësirë që këto të përmirësohen. P.sh. po e përmendi nenin 14.1. Përcaktimi i dividentit”, theksoi Konjufca.
Konjufca tha se nëse draft-statuti votohet me gabime shumë elementare më vonë anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik do të përballen me kritika nga organizatat joqeveritare.
“Nëse ka gabime shumë elementare në këtë draft statut dhe nëse votohet kështu më pas organizata joqeveritare të forta i marrin i analizojnë dhe ka me na ardhë marre për çka e kemi qu dorën”, theksoi Konjufca.
Anëtari i Komisionit nga PDK, Memli Krasniqi tha se ky nuk është statuti ideal por është më optimali.
“Unë nuk mendoj që po ngutemi por jemi vonu. Sot ka kalu një kohë e gjatë prej kur e kemi pas një draft statut, dhe sot e kemi një draft statut. Ky statut i ka lënë mundësitë e ndryshimeve, në nenin 17 është lënë kjo mundësi. Ky draft statut e hap mundësinë me ec përpara”, u shpreh Krasniqi.
Në mbledhjen e kaluar të Komisionit për Zhvillim në rend të ditës kishte edhe shqyrtimin e projekt – statutit për Trepçën, raporton kallxo.com.
Por ky projekt – statut u kthye prapa nga anëtarët e Komisionit me qëllim që në të të integrohet marrëveshja mes Qeverisë dhe Bordit dhe mos të ndërhyhet në të nga anëtarët e Komisionit.
Ministri Valdrin Lluka theksoi se po në të njëjtën ditë kur u kthye prapa draft statuti, janë mbledhur të gjithë së bashku dhe kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët.
Ministri Lluka duke iu përgjigjur shqetësimeve të deputetëve për problemet në draft – statut tha se ky është një dokument i cili mund të ndryshohet.
“Nuk është një dokument që ka vështirësi në ndryshimeve. Vizioni për zhvillim nuk është pjesë e statutit por krijohet një plan biznesi sepse me ndryshimin e menaxhmentit ndryshon edhe vizioni”, theksoi Lluka.
Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar draft – statuti i Trepçës.
Në muajin maj të vitit 2018 është hartuar draft – statuti i Trepçës. Por ky draft – statut solli pakënaqësi te minatorët e Trepçës.
Për t`u zgjidhur ky problem dhe për të ardhur në një marrëveshje të përbashkët janë krijuar dy grupe punuese.
Me 31 tetor 2018, këto grupe punuese kanë paraqitur raportet e tyre. Këto raporte janë trajtuar po atë ditë dhe të gjithë së bashku kanë arritur një marrëveshje për draft – statutin e Trepçës.