Smaka: Opozita duhet ta respektojë vendimin e kushtetueses për Thaçin (Video)

Nisur nga eksperienca e funksionimit të Gjykatës Kushtetues deri më sot, nuk pres që ajo do të konstatojë se ka pasur shkelje në procedurë gjatë zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës së Kosovës.

Lajme

28/03/2016 23:43

Ndryshe janë përvjedhur disa parregullsi e një ndër to është ndërprerja e procesit zgjedhor por ka edhe shkelje të tjera. Kështu është shprehur Riza Smaka, njohës i çështjeve kushtetuese në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel.

Gjykata Kushtetuese sipas profesor Smakës duhet që ta nxjerr aktvendimin para se të bëhet dorëzim-pranimi i detyrës nga presidentja Jahjaga te presidenti i ri, Thaçi. Ai ndër të tjera ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet nga të gjithë, pavarësisht se çfarë do të jetë ai.

“Opozita do të duhet medoemos ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese çfarëdo që të jetë ai. Edhe në rast që nuk gjen shkelje, opozita nuk duhet më ta kontestojë zgjedhjen e Thaçit president”, ka deklaruar Smaka në “Kontakt”.

Sipas profesorit zgjedhja e presidentit është dashtë të bëhet pas zgjedhje të parakohshme dhe jo në këtë situatë.

“Unë gjykoj që Thaçi do t’i kishte pozitat solide çfarë i ka pasur tani edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, sepse e ka një subjekt politik të konsoliduar dhe ato vota (plus-minus) do t’i këtë gjithmonë dhe për hirë të rrethanave zgjedhja e presidentit është dashtë të bëhet pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Smaka ka folur edhe për luhatjet përbrenda bllokut opozitar, për bojkotin e Kuvendit dhe për zgjedhjet e mundshme të parakohshme./Tribuna/

YouTube player