Skandali i përgjimeve, hetuesit fotografuan fshehjen e pajisjes në Polici

Prokuroria ende nuk ka marrë në dorëzim pajisjen përgjuese të policisë dhe akuzon drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako për lëvizjen e kësaj pajisje.

Lajme

12/06/2016 08:58

Sipas organit të akuzës, gjithçka ka ndodhur më 13 maj, ditën kur dy Oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës shkuan për ta sekuestruar. Gjatë kësaj dite, OPGJ-të kanë dokumentuar gjithçka, me foto dhe prova në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, shkruan gazeta ‘Panorama’.

Makina me pajisjen përgjuese u largua rreth orës 12:00 nga Drejtoria e Përgjithshme, kur dy OPGJ-të po prisnin kryepolicin Çako për ta pyetur, pasi atë moment nuk ndodhej në zyrë. Prokuroria argumenton se para kësaj date, makina me aparaturën ilegale në pjesën më të madhe të kohës qëndronte në ambientet e F.P.O, deri sa nga ajo ditë nuk u kthye më.

Në harkun kohor të 30 minutave kur dy OPGJ-të po prisnin Çakon, kjo aparaturë është hequr duke bërë të pamundur sekuestrimin e saj nga hetuesit e Prokurorisë.