Skandal në Milano, delegacioni shqiptar në kazino, ministrja padi gazetës

Mediat italiane kanë shkruar sot se delegacioni shqiptar që merr pjesë në punimet e Samitit të Milanosia ka shkuar në kazino, por ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli thotë se e gjitha është një gënjeshtër dhe spekulim i mediave italiane.

Lajme

20/10/2014 16:31

Kodheli ka thënë se do të ngrejë padi për shpifje ndaj gazetës Corriere në Itali.

Samiti-euro-aziatik ka mbledhur në Milano 53 përfaqësues të qeverive ku shumica përfaqësoheshin nga kryeministra e presidentë. Zhvillimet në këtë samit zunë vendin e parë në faqet e mediave italiane. Në të merrnin pjesë kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti rus Vladimir Putin, kryeministri Kinez e të tjerë krerë shtetesh e qeverish të vendeve të Europës dhe Azisë. Corriere della Sera shkruan se: “një grup i madh i delegacionit shqiptar, sapo ka mundur, ia ka mbathur për në Liguria. Jo për të parë detin, por për kazinonë e Sanremos”. Skandali është raportuar edhe në disa media të tjera.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka reaguar ashpër ndaj lajmit që ka publikuar italiania, Corriere della Sera. Ministrja theksoi se do të ngrejë një padi për shpifje ndaj medias italiane.

Sipas saj, Shqipëria nuk ka qenë aspak pjesë e këtij Samiti euro-aziatik të zhvilluar në Milano. “Padi për lajmin që Corriere della Sera ka nxjerrë. Ju të gjtihë e dini që Shqipëria nuk është pjesë për fat të keq, nuk është pjesë e atij samiti. Samiti është midis BE-së dhe vendeve të Azisë”, shpjegon ministrja Kodheli.