‘Skandal’ në Arabinë Saudite, prezantuesja del pa shami në TV

Një prezantuese e lajmeve në televizionin shtetëror saudit, ka bërë një gjë të “paprecedent” deri më tani. Ajo ka prezantuar lajmet duke mos bartur shami në kokë, e ky gjest është cilësuar si një skandal i madh nga shoqëria thellësisht konservatore islame e Arabisë Saudite.

Bota

06/08/2014 13:44

Videoja e prezantueses së lajmeve ka vërshuar internetin, teksa ajo paraqitet pa shami duke lexuar një buletin nga Londra, të transmetuar në kanalin televiziv Al Ekhbariya.

Kodet strikte të veshjes në Arabinë Saudite kërkojnë që gratë të bartin shami.

Edhe pse ndodhë që nganjëherë në televizione të shfaqen gra pa shami në kokë, në programet e kanaleve televizive, sidomos të atyre që kontrollohen nga shteti, kjo assesi nuk duhet dhe nuk mund të ndodh me prezantueset e lajmeve.

Ato patjetër duhet të kenë mbulesë.

Por rasti i londinezës me origjinë saudite ka shkaktuar ‘termet’.

Zëdhënësi i radio dhe televizionit saudit, Saleh Al Mughailif ka thënë për agjencinë e lajmeve, Al Tawasul, se korrespondentja në fjalë po lexonte lajmet nga studio e Al Ekhbariya që gjendet në Britaninë e Madhe.

“Ajo nuk ishte në studiot që gjenden në Arabinë Saudite, por zotohemi se ne nuk do të tolerojmë asnjë shkelje të vlerave tona dhe të sistemit të vendit tonë”, tha ai.

Ai premtoi se do të merren të gjitha masat për tu siguruar se një incident i tillë nuk do të përsëritet, pasi që televizioni ka marrë shumë reagime të shikuesve që kanë shprehur zemërimin e tyre lidhur me këtë incident.

Al Ekhbariya, i cili ka zyre në Lindje të Mesme, Evropë dhe Amerikë, është i njohur për punësimin e femrave në rolin e prezantueseve që prej vitit 2004, kur u paraqit edhe prezantuesja e parë femër.

Rrjetet sociale në Mbretërinë Saudite janë vërshuar me komente negative për këtë gjest të kësaj prezantueseje, teksa Gulf News madje raportoi se disa nga shikuesit e kishin cilësuar këtë akt, si shkelje të traditave kombëtare.

Arabia Saudite është vend shumë konservator.

“The Indipendent” shkruan se reagimi i “shoqerisë fetare” ka qenë i atillë që femrat arabe nuk mund të thyejnë “kodin etik të veshjes”, edhe pse edhe për këtë ka dallime, varësisht nga rajonet e Arabisë Saudite.

Por pavarësisht kësaj, femrat saudite janë të privuara me ligje të bazuara në Islam nga shumë të drejta që gëzojnë gratë në botë.

 Arabet nuk kanë të drejtë të ngasin veturat, ndërkohë që për “sjelljen” e tyre kujdeset policia fetare e quajtur ‘Mutawa”.

Rrahja me kamxhik, varja e deri të prerja e kokës janë denimet për blasfemi apo tradhti bashkëshortore.  
Nuk dihet nëse është e rastësishme paraqitja e prezantueses pa shami, pasi  Mbreti Abdullah bin Abdul Aziz ka emëruar 30 gra të trupit të tij këshillimor, ndërsa princi miliarder Al Waleed bin Talal, thuhet se ka marrë një qëndrim të moderuar, duke lejuar punonjëset të heqin shamitë brenda zyrave të biznesit të tij.