S’ka telashe me fluturimet

Zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara, thotë se dukshmëria aktualisht është shumë e mirë në Sllatinë dhe nuk pritet të ketë telashe me fluturimet dhe aterrimet në këtë aeroport.

Lajme

12/01/2014 09:28

Fluturimet dhe aterrimet në Aeroportin e Prishtinës po bëhen pa telashe në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Sllatinë.

Zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara, tha për lajmi.net se sapo ka ateruar aeroplani i parë dhe sipas saj, nuk pritet të ketë problem për shkak të mjegullës gjatë ditës së sotme në Aeroportin e Prishtinës. Nëse ka pasur vonesa në mëngjes në aterrime, ato do të realizohen tani kur kemi një gjendje normale për punë.

“Në mëngjes ka pasur mjegull, e cila është menduar se do të pengojë fluturimet nga Aeroporti i Prishtinës, por tani sapo kemi aterrimin e parë të një aeroplani dhe sipas personelit përgjegjës dukshmëria në Aeroport tani është shumë e mirë“.

“Presim që të realizohen të gjitha fluturimet gjatë ditës së sotme, dhe nuk presim të kemi telashe për shkak të mjegullës”.

Ndryshe mjegulla e dendur ka bërë që në javët e fundit shpeshherë të bllokohen operimet në Aeroportin e Prishtinës, ku për shkak të dukshmërisë jo të mirë ka pasur anulime të fluturimeve dhe aterrimeve.

Por, sot duket se bëhet fjalë për një normalizim të situatës.