S’ka masa për parandalimin e shitjes së drogës në shkolla

Rasti i 18 vjeçarit B.K, gjimnazist në vitin e tretë të shkollës së mesme “Sali Ceka” në Elbasan, i arrestuar në flagrancë pasi iu gjet gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të kryer në banesën e tij, një sasi droge e vendosur në qese të vogla, për të cilat dyshohet se synohej t’iu shiteshin bashkëmoshatarëve të tij në shkollën që ky nxënës frekuentonte, ka vënë në lëvizje Komitetin Shqiptar të Helsinkit.

Lajme

09/05/2016 18:49

KSHH, duke u bazuar edhe në informacione të tjera të ngjashme të publikuara në media ose të raportuara nga Policia e Shtetit, e konsideron këtë fenomen si shqetësues dhe vëren se raste të tilla të raportuara në të kaluarën kanë ndodhur edhe në shkolla të tjera të vendit.

KSHH gjithashtu ka kritikuar punën që bëhet pasi ndodhin këto ngjarje. “vërehet se, fillimisht pas këtyre rasteve, bëhen disa mbledhje, merren disa masa, por ato nuk kanë vazhdimësi dhe rrjedhimisht efekti i tyre është minimal. E theksojmë këtë edhe për faktin se disa sondazhe të kryera më parë kanë dhënë sinjale se përdorimi i drogës në një përqindje relativisht jo të vogël është përhapur edhe në shkolla”.

Duke pranuar se parandalimi i shitjes së drogës edhe në shkolla, në forma dhe nga persona të ndryshëm, nuk është vetëm detyrë e organeve të rendit, por e gjithë shoqërisë, në radhë t? ? parë e institucioneve arsimore dhe e prindërve, KSHH kërkon që bashkëpunimi dhe koordinimi i organeve të mësipërme dhe i shoqërisë civile duhet të jetë konkret dhe jo formal dhe deklarativ.

Për këtë KSHH rekomandon që të ketë një ndërgjegjësim dhe sensibilizim më të madh të vetë nxënësve, të cilëve duhet t’u bëhet i qartë dëmi që shkakton përdorimi i drogës, për shëndetin dhe jetën e tyre.

KSHH rekomandon që në këto veprimtari të ndihmonin edhe specialistët që e njohin këtë fushë dhe bën thirrje që ky problem shqetësues të vlerësohet duke ndërmarrë veprime konkrete.

Përdorimi i drogës sidomos nga të rinjtë rrezikon shëndetin dhe jetën e tyre, i dëmton rëndë moralisht, i bën ata të padobishëm për veten, familjen dhe shoqërinë, thekson KSHH. /ATSH/