Situata në Maqedoni përbën shqetësim të madh për BE-në

Brukseli nuk ka hequr dorë nga vendosja e masave të reja ndaj Maqedonisë, pas dështimit të Marrëveshjes politike dhe mospërmbushjes së reformave urgjente prioritare.

Lajme

26/04/2016 16:19

Madje, situata në Maqedoni, sipas zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, vazhdon të përbëjë shqetësim të madh për Brukselin.

Unioni, i cili ka mbetur pa opsione për të ndërhyrë në zgjidhjen e krizës, në dorë ka vetëm vendosjen e sanksioneve ndaj vendit.

“Situata mbetet ende shumë shqetësuese për ne. Ne mbetemi në dispozicion, por siç e përsëritëm disa herë tashmë përgjegjësia për zgjidhjen e krizës politike në vend është në duart e liderëve politik. Ne nënvizuam shqetësimet tona dhe gjithashtu në deklaratën e një jave më parë theksuam se jemi të detyruar të konsiderojmë veprime të mëtejshme me qëllim që të plotësohen kërkesat e parashtruara nga Këshilli, Komisioni dhe Parlamenti. Megjithatë siç thash më herët unë nuk do të spekulojë rreth tyre”, tha Kocijançiq, raporton Alsat-M.

Përveç masave të reja ndaj vendit, gjithnjë e më të zëshme bëhen kërcënimet e Brukselit për pezullimin e rekomandimit për çeljen e negociatave me Maqedoninë si dhe futjen në listën e zezë të Shengenit të politikanëve të pushtetit.

Komisioneri evropian Johanes Han, pak kohë më parë theksoi se nëse vendi organizon zgjedhje jo të besueshme, qeveria e re nuk do të njihet ndërkombëtarisht. Ndërkaq, për të vlerësuar klimën politike dhe atë parazgjedhore në Shkup qëndron edhe një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Vlerësimi i tyre do të shpaloset pas përfundimit të takimeve me kryetarin e Parlamentit, ministrin e brendshëm, partitë politike, Komisionin Shtetëror Zgjedhor, si dhe me Prokurorinë Speciale./lajmi.net.