Shumë zhurmë e pak përgjegjësi për Gjykatën Speciale

Jakup Krasniqi thotë se po bëhet më shumë zhurmë për çështjen e EULEX-it dhe Gjykatës Speciale se sa po ka transparencë dhe përgjegjësi në këto procese. Ai thotë se në Kuvend do të bëhet vetëm formalizimi i asaj që janë marrë vesh në Bruksel.

Lajme

18/04/2014 21:37

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi vlerëson se është duke u bërë shumë zhurmë për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe krijimit të Gjykatës Speciale, e në të kundërtën, sipas tij, nuk ka aq transparencë dhe përgjegjësi në këto procese.

“Shumë zhurmë e pak transparencë e përgjegjësi për fjalën e thënë. Kështu disi mund të quhet debati që po zhvillohet në Kosovë për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe të krijimit të Gjykatës Speciale”, shkruan Krasniqi në Facebook.

Krasniqi thotë se nuk deklarohet se si do të votojë për këto çështje në Kuvend, por se thotë se Qeveria, Presidenca dhe të tjerët tashmë janë pajtuar për këto çështje, andaj ai thotë se Kuvendi do të bëjë vetëm “formalizmin” e asaj që janë pajtuar në Bruksel.

“Nuk mund të them sesi do të deklarohet Kuvendi në ditën kur do ta Ratifikoj Marrëveshjen për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, vazhdimin e mandatit të anëtarëve ndërkombëtar të Gjykatës Kushtetuese, të cilëve me Kushtetutë ju mbaron mandati në muajin korrik 2014 dhe krijimit të Gjykatës Speciale e cila duhet të merret me pretendimet e ngritura nga senatorit, Dick Marty”.

“Ndërsa për atë që dihet deri me tani është se Qeveria e Kosovës “pas bisedimeve të mundimshme që ka zhvilluar në Bruksel”, është pajtuar për çështjet e përmendura dhe pastaj me rezultatin e tyre është pajtuar edhe Presidentja, Atifete Jahjaga. Kuvendit i mbetet formalizmi i asaj që janë marr vesh në Bruksel dhe në masë të madhe janë pajtuar edhe në Prishtinë”.

“Për ratifikimin e Marrëveshjes në fjalë, në bisedimet e fundit që kemi zhvilluar në Prishtinë janë pajtuar edhe liderët e partive politike që ishin në takimet e zhvilluara në Rezidencën e Ambasadores së SHBA-ve, në Rezidencën e Ambasadorit Gjerman dhe në Zyrën Evropiane në Prishtinë të kryesuar nga zoti Zbogar”, shkruan Jakup Krasniqi.