Shtyhet seanca gjyqësore për rastin “Kumanova”

Gjykata e Shkupit e ka shtyrë seancën gjyqësore të mbyllur të rastit “Lagjja e Trimave – Kumanovë” e paraparë që të mbahet sot prej orës 10.

Lajme

11/04/2016 14:55

MPB nuk ka pasur kapacitete të mjaftueshme që të asistojë në këtë seancë, pasi që të njëjtit i ka dërguar në kufirin Maqedoni – Greqi pas incidentit të djeshëm me refugjatët, raporton Portalb.

“Policia nuk ka mundur që të asistojë në këtë seancë, për shkak se të gjitha kapacitetet i ka dërguar në kufirin me Greqinë. Për këtë rast, seanca është sot është shtyrë. Seanca e radhës është caktuar për 21 prilli”, tha për Portalb avokatja e palës mbrojtëse Artene Ademi.

Lajmin për shtyrjen e seancën e kanë konfirmuar edhe nga Gjykata Themelore Shkupi 1, duke thënë se seanca është shtyrë për shkaqe teknike, gjegjësisht sepse të akuzuarit nuk janë sjellë në Gjykatë.

Përndryshe, deri më tani janë mbajtur tri seanca të mbyllura sepse janë dëgjuar dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur. Rreth 40 dëshmitarët e mbrojtur të propozuar nga Prokuroria janë policë të cilët kanë marrë pjesë në aksionin për shpartallimin e grupit të armatosur. Nga Gjykata ende nuk mund të konfirmojmë se deri kur do të zgjasë marrja e tyre në pyetje, por vetëm theksojnë se me kohë do të njoftohet publiku se kur seanca do të jetë e hapur për publikun.

Përndryshe, në seancën e fundit më 7 prill, kanë dëshmuar 4 pjesëtarë të policisë, si dëshmitarë të mbrojtur.

Sipas aktakuzës, në rastin “Lagjja e Trimave – Kumanovë” 29 persona akuzohen për terrorizëm dhe prishjen e rendit kushtetues të Maqedonisë.