Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj policit kufitar në Han të Elezit

Është shtyrë seanca e paraparë të mbahej të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj zyrtarit të pikës kufitare në Han të Elezit, tani të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Shpëtim Bela.

Lajme

24/01/2018 12:11

Shkak i shtyrjes së seancës së parë të shqyrtimit kryesor në këtë çështje, u  bë gjendja jo e mirë shëndetësore e gjykatëses së çështjes, njëherësh kryetares së trupit gjykues, Hysnije Gashi.

Gjykatësja Gashi, me të filluar ky shqyrtim gjyqësor, njoftoi palët që nuk mund të vazhdoi gjykimin për shkak të gjendjes së saj jo të mirë shëndetësore.

Në këtë shqyrtim gjyqësor ishte paraparë të dëgjohen tre dëshmitarë, Shaban Berisha, Bashkim Dauti, Arif Krivanjeva, që të tre të propozuar në aktakuzë.

Seanca e radhës ndërkaq u caktua më 13 mars 2018, në ora 10:00, kur edhe pritet dëgjimi i këtyre dëshmitarëve.

Ndryshe, i akuzuari Shpëtim Bela, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 30 tetor të vitit 2017, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i ngarkon akti akuzues.

Po në këtë shqyrtim gjyqësor, të njëjtit i ishte ndërprerë masa e arrestit shtëpiak, me arsyetimin se kishin pushuar të gjitha kushtet dhe rrethanat për të cilat ishte caktuar kjo masë.

Tani i akuzuari Shpëtim Bela, po akuzohet se duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, me dashje nuk ka kryer detyrat e tij zyrtare të përcaktuara me ligj.

Sipas aktit akuzues, i njëjti pretendohet se si zyrtar policor, i caktuar sipas orarit ditor në hyrje të pikë kalimit kufitar për kontrollin e dokumenteve të personave dhe automjeteve, në Han të Elezit, i ka mundësuar personit Xhemal Gottermejer, i cili kishte fletarrestim ndërkombëtar, që të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës, pa u kontrolluar dhe regjistruar në sistemin “SMK”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, tani i pandehuri Bela, ka qenë në dijeni se personi Xhemal Gottermejer kishte fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet zvicerane, por megjithatë ka lejuar që ai të hyjë në territorin e Kosovës, pa u regjistruar fare.

Ndërsa, në aktakuzë nuk theksohet se për çfarë veprash penale akuzohet Xhemal Gottermejer, dhe për çfarë arsyesh ndaj tij është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar./Betimiperdrejtesi/