Shqiptarët, populli që shpenzon më së shumti për ushqime në Europë

Shqipëria mund të ketë çmime më të lira se në shumë vende të Europës, por të ardhurat e ulëta, që marrin në raport me vendet e tjera, bëjnë që ata të shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për të siguruar nevojat minimale jetësore të të ushqyerit.

Lajme

19/06/2017 22:45

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, që matin shpenzimet finale për konsum nga familjarët sipas qëllimit të konsumit, konsumatorët shqiptarë shpenzojnë 39% të buxhetit për të blerë ushqime dhe pije joalkoolike.

Kjo është përqindja më e lartë jo vetëm nga shtetet e Bashkimit Europian, por edhe në raport me fqinjët në rajon. Shteti i dytë pas nesh është Bosnja, me 34% të totalit, i ndjekur nga Maqedonia me rreth 32%, Rumania 29%, Mali i Zi 28% dhe Serbia 25.7%.

Sipas Eurostat, për mesataret e 28 shteteve të BE-së (nuk janë publikuar të dhënat pa Britaninë), pesha që shpenzohet për ushqime është  vetëm 12.4% e totalit të shpenzimeve mujore të një familjeje. Britanikët janë ata që shpenzojnë më pak për ushqime e pije jo alkoolike, me vetëm 8.7% të totalit, të ndjekur nga Luksemburgu me 9.1%.

Të dhënat të tjera të Eurostat tregojnë se në vlerë absolute, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri janë më të lira, sa 68% e mesatares europiane, të dytat më të lira pas Maqedonisë, teksa çmimet në shtetin fqinjë janë sa 58% e mesatares së Bashkimit Europian. Më të shtrenjtat në Europë, çmimet e ushqimeve janë në Zvicër, në 172% të totalit të mesatares së BE-së. Edhe në Britani, që ka shpenzimet më të ulëta për ushqime, çmimet janë 11% më të shtrenjta se mesatarja e BE-së, por britanikëve nuk u rëndon blerja e produkteve jetike, për shkak të të ardhurave të larta.

Janë pikërisht të ardhurat e ulëta ato që bëjnë që konsumatorët shqiptarë të shpenzojnë më shumë për ushqim e pije jo alkoolike, dhe më pas të mendojnë për shëndetin, energji, argëtim, veshje, ngrohje etj.

Po sipas Eurostat, Shqipëria renditet një nga vendet e fundit në Europë për sa i përket të ardhurave për frymë, që prej disa vitesh ka ngecur në 30% të mesatares së BE-së, e fundit në rajon.

Sipas peshave të publikuara nga INSTAT, pasi harxhojnë rreth 40% të buxhetit për ushqime, familjarëve shqiptarë u mbeten 4.4% për Pije alkoolike dhe duhan; 4% për Veshje dhe këpucë; 20.7% për Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji; 6.5% për Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë; 3% për Shëndetin; 6.2% për Transportin; 2.5% për Komunikimin; 2.6% për Argëtim dhe kulturë; 2.5% për Shërbimin arsimor; 2.9% për Hotele, kafene dhe restorante; 4.7% për Mallra dhe shërbime të ndryshme./monitor.al/

22

11