Shqiptarët në veri përballen me fatura të “Elektrokosmetit”

Banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës përballen me kërkesën e njëjtë sa herë vjen fundi i muajit. Atyre u shkojnë fatura për energjinë nga i ashtuquajturi "Elektrokosmet".

Lajme

16/03/2015 20:13

Po diskutojnë për shumën që u ka ardhur për shpenzim mujor të energjisë elektrike. Këta banorë shqiptarë, të cilët jetojnë në pjesën e Mitrovicës të banuar me shumicë serbe, kanë rënë në hall me kompaninë elektroenergjetike të Serbisë.

Ky institucion paralel për çdo muaj ua dërgon faturat për pagesë të energjisë së shpenzuar.

Madje, ditëve të fundit punonjësit e të ashtuquajturit “Elektrokosmet” kanë filluar t’i kushtëzojnë banorët edhe me shkyçje nga rrjeti në rast mospagese.

“Nuk ka as vulë as kurgjo, vetëm shenjën e Elektrokosovës. Nëse nuk i kryeni obligimet e juaja do të shkyçeni nga rrjeti”, tha një banor.

Përfaqësuesi i lagjes së Kodrës së Minatorëve thotë se derisa banorët serbë nuk e paguajnë energjinë, të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe ata shqiptarë.

“E di që komuniteti serb nuk paguan asnjëri, kojshitë që i kam nuk e paguajnë…”, theksoi Gani Hysenaj Përfaqësues i Lagjes “ Kodra e Minatorëve”.

Hysenaj u bën thirrje banorëve shqiptarë të veriut që të mos e paguajnë rrymën e konsumuar.

Ndërkohë, asamblistët shqiptarë premtojnë se kjo çështje do të ngrihet në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut.

“Në momentin e parë këtë çështje do ta ngrisim në Kuvend. Duhet të presim derisa KEDS-i kontrakton një kompani për inkasimin e mjeteve”, theksoi Bashkim Cimili, asamblist në Komunën veriore.

Banorët shqiptarë të veriut kanë kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje për këtë problematikë me të cilën ata përballen çdo muaj, raporton RTK.