Shqipëria shpalos ofertën turistike për gjermanët

Bukuritë mahnitëse të Alpeve në veri dhe perlat ende të pazbuluara të rajonit bregdetar jugor, të gërshetuara me trashëgiminë kulturore dhe historike, janë fokusi i një turneu promovues dhe familjarizues të një grupi gazetarësh dhe operatorësh turistikë gjermanë që ka nisur prej datës 4 qershor.

Lajme

09/06/2016 15:35

Turneu organizohet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit e Shqipërisë, me mbështetjen e projekteve të financuara nga Qeveria Gjermane dhe që zbatohen në Shqipëri nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, të cilat veprojnë në mbështetje të popullsisë rurale për zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, me fokus në turizmin natyror, kulturor dhe rural, shkruan agjencia telegrafike shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Të organizuar në itinerare dhe intervale të ndryshme kohore, që prej datës 4 qershor 22 gazetarë dhe operatorë turistikë gjermanë po vizitojnë Shqipërinë nga veriu në jug dhe do të vijojnë deri më 16 qershor. Grupi i miqve nga Gjermania përfshin gazetarë nga disa prej mediave të shkruara dhe televizive më prestigjioze gjermane, si Euronews, Huffington Post, Suddetsche zeitung, Franfurter Allgemanie, etj.

Nëpërmjet këtij udhëtimi ata do të njihen me potencialin turistik të Shqipërisë dhe më pas ofertën e pasur turistike që vendi ofron nga veriu në jug t’ua bëjnë të njohur bashkëkombësve të tyre në Gjermani.

Pjesë e grupit janë edhe tour-operatorë gjermanë, të cilët janë ftuar për t’u njohur me destinacione më parë të panjohura të Shqipërisë dhe me larmishmërinë e atraksioneve turistike në to. Nga bukuritë e bjeshkëve dhe parqeve në veri te kombinimi i mahnitshëm i maleve me bregdetin në jug, grupi i miqve nga Gjermania do të njihen nga afër edhe me kulturën, historinë dhe traditën e pasur të banorëve. Krahas shpalosjes së ofertës të plotë turistike të Rajonit Bregdetar Jugor dhe Alpeve Shqiptare dhe promovimit të produkteve lokale, AKT synon që nëpërmjet këtij udhëtimi të vendoset bashkëpunimi mes operatorëve turistikë gjermanë me operatorët shqiptarë dhe ofruesit e shërbimeve turistike në vend, si dhe të nxitet shkëmbimi i përvojave ndërmjet dy vendeve.

Itineraret e ndryshme të udhëtimit nëpër Shqipëri bashkohen më 10 qershor në Kalanë e Ali Pashës, Porto Palermo, në Himarë, ku do të mbahet “Market Forum” me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisjes qendrore dhe vendore, ekspertëve të turizmit, grupeve lokale të interesit, tour-operatorë turistikë, gazetarë, etj.