Shqipëria, partnere në panairin më të madh të turizmit në Evropë

Më shumë se 2000 ekspozues nga 20 vende dhe 360 regjione marrin pjesë. Vend partner është Shqipëria deri tash më shumë e nënvlerësuar, e cila po zgjohet duke u bërë vend interesant turistik.

Lajme

14/01/2017 09:14

Është panairi më i madh evropian i turizmit, i dedikuar publikut. 220 mijë vizitorë ia mësyjnë për çdo janar panairit CMT, që është panair për Karavane, motorë dhe turizëm në sallat e panairit të Shtutgardit , pranë aeroportit. Të shtunën (sot, më 14 janar) hap dyert ky panair dhe mbyllet më 22 janar, shkruan rnz.de

Më shumë se 2000 ekspozues nga 20 vende dhe 360 regjione marrin pjesë. Vend partner është Shqipëria deri tash më shumë e nënvlerësuar, e cila po zgjohet duke u bërë vend interesant turistik, transmeton albinfo.ch. Në shenjë të këtij partneriteti,  një ditë para hapjes zyrtare të panairit, në konferencën për media, u prezantua një grup folklorik shqiptar.

Në shtatë salla prezantohet dega e automjeteve karavan dhe kamping me 850 automjete në mesin e të cilave 100 risi.

Vitin e kaluar u tregua se sa kanë ndryshuar shprehitë e turistëve. Ata parapëlqejnë caqe më të sigurta. Po ashtu ka rënë numri i turistëve që frekuentojnë plazhet ndërkohë që është rritur numri i vizitorëve të qyteteve. Ndërsa dega e turizmit flet për një kthim të sërishëm në turizmin e gjelbër.