Shqipëria nis hetimet ndaj “Belle Air”

Zyrtarisht nisin hetimet për kompaninë ajrore Belle Air. Prokuroria e Tiranës është në fazën fillestare të hetimit me ç’rast është duke mbledhur dokumentacionin e nevojshëm.

Lajme

07/12/2013 15:28

Prokuroria e Tiranës nëpërmjet Njësisë Task Forcë ka nisur hetimet ndaj kompanisë ajrore Belle Air, nën dyshimet për mashtrim dhe shmangie të detyrimeve tatimore.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llala, i cili tha se hetimet ishin në fazën e mbledhjes së dokumentacionit, raporton Top Channel.

Ndërkaq kompania Belle Air ka paraqitur në Gjykatën Civile kërkesën për falimentim e jo për likuidimin e saj- por për ristrukturimin deri në shlyerjen e borxheve që i ka shtetit dhe palëve të treta.

Avokati i kësaj kompanie, Avni Shehu i kishte deklaruar Gjykatësit të rastit se ‘Belle Air’ ka detyrim në vlerë prej 51.7 milionë euro, ndërsa vlera e përgjithshme e aseteve të kësaj kompanie vlerësohet të jetë prej 60.3 milionë eurosh.

Belle Air kishte ndërprerë fluturimet në fund të muajit nëntor, duke lënë në aeroport që të prisnin qindra qytetarë të cilët kishin prenotuar fluturimet në këtë kompanie.