Shqipëri, fermerët shtojnë sipërfaqet e mbjella me sera

​Kultivimi i pemëve dhe perimeve në serra, edhe pse është më i kushtueshëm, po rezulton i leverdishëm për fermerët, pasi kërkesat për kultura të freskëta bujqësore dhe jashtë sezonit po vjen gjithnjë e në rritje.

Lajme

10/04/2016 11:24

Duke parë nevojën e tregut vendas, por edhe të eksporteve në rritje fermerët nga viti në vit po vijnë duke i rritur sipërfaqet e mbjella në serrë, pasi ata nuk e kanë problem më shitjen prodhimeve bujqësore jashtë sezonës. Sipas të dhënave nga ministria e Bujqësisë, sot sipërfaqja e mbjellë me sera është rritur në 1700 hektarë në të gjithë vendin. Ku padyshim vend kryesor zënë ndërtimi i serave me teknologji të lartë izraelite, që prodhojnë perime me fuqi ekstensive.

Fermeri Shaban Morina, nga Lushnja, përveç që merret me kultivimin e patateve në fushë të hapur, ai ka një sipërfaqe prej 10 ha edhe me serra. Ai shprehet i kënaqur me prodhimin që merr nga sera dhe thotë se ka shumë përfitime pasi ka arritur rendimente të kënaqshme dhe shitje të sigurt. “Me kultivimin e perimeve në serra merrem që prej dy vitesh, dhe me mbështetjen e suvbevencioneve kam filluar gradualisht duke e rritur sipërfaqet me serra”, thotë ai.

Morina tregon se kultivon në serra speca, domate dhe sallata që i shet në pikat e grumbullimit në Lushnje.

Për rritjen e sipërfaqeve në serra, po investon edhe Ministria e Bujqësisë, e cila kultivimin e perimeve në serra e përkrah që nga viti 2009. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), ka çelur më 9 mars, procedurat e aplikimit për subvencionimin e fermerëve që kanë interes të investojnë në prodhimin bujqësor në sera.

Sipas AZHBR-së, aplikimet për grant behen deri në 50% të vlerës së investimit. Ndërsa zyrat e bujqësisë së Qarkun e Rrethit përkatës ose pranë Zyrave të konsulencës do të ofrojnë informacion dhe mbështetje për aplikimet për grante e kredi, për të gjithë të interesuarit.

Kush përfiton?

Të gjithë ata që kanë tokë bujqësore 0.5 deri në 2 ha dhe duan të investojnë në ngritjen e serave në një sipërfaqe nga 0.5 deri në 2 ha. Këtu llogaritet sipërfaqja e serrës dhe jo e tokës bujqësore, që zakonisht është më e madhe. Përfitojnë grant në masën 50% të vlerës së investimit por jo më shumë se 1 milion lekë për dynym. Pra, nëse ke një tokë 1 ha dhe do të ndërtosh aty një serrë me një shumë prej 20 Milion lekë (rreth 150 mijë euro), granti që do të të jepet është 10 Milion lekë (pra rreth 75 mijë euro). Ministria e Bujqësisë përmes skemës mbështetëse Kombëtare do të të paguajë gjysmën e investimit.